E jashtëzakonshme: Komuna e Prishtinës nënshkruan kontratën e katërt për ndërtimin e shkollës “7 Shtatori”

Ndërtimi i shkollës “7 Shtatori” në Prishtinë po shndërrohet në një histori të zvarritjeve dhe procedurave të dyshimta. Nga një kontratë fillestare prej mbi 1.8 milionë euro, tashmë janë nënshkruar edhe tri kontrata shtesë, duke e çuar totalin në katër, një praktikë e rrallë në institucionet publike. Kompania fituese, “Olti Trasing”, vazhdon të marrë kontrata përmes negocimit, edhe kur oferta të tjera më të lira janë eliminuar për arsye teknike. Ndërkohë, punët shtesë dhe devijimet nga projekti fillestar kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi menaxhimin e fondeve publike. A është ky një rast i keqplanifikimit apo i favorizimeve të qëllimshme?

Më 13 prill 2023, kryetari i Prishtinës vendosi gurthemelin për ndërtimin e shkollës “7 Shtatori”. Por, ndërtimi i saj nuk po ecën sipas planeve, shkruan Demokracia.com.

Përveç kontratës fillestare, dy kontrata janë nënshkruar me negocim për punë shtesë, të cilat, sipas komunës, dolën si nevojë në disa pozicione të ndërtimit. Ndërsa, kontrata e fundit u nënshkrua pesë ditë më parë përmes një procedure të hapur, por fituese sërish u shpallën të njëjtat kompani – “Olti Trasing”, e cila është në pronësi të Ragip Mustafës, një biznesmen i afërt me LDK-në dhe pjesë e strukturave të saj.

Tenderi i katërt mban emrin “Ndërtimi i shkollës ‘7 Shtatori’ – Punë të tjera për përfundimin e objektit, Faza II – Ritender” dhe ka një vlerë prej 144,000.00 euro.

Në garë për këtë tender ishin edhe dy kompani të tjera: “Nika Pro-Ing”, e cila kishte ofruar 144,000.00 euro dhe “Limora” SHPK, me ofertën më të ulët prej 139,129.00 euro. Megjithatë, të dyja u eliminuan me arsyetimin se nuk i kishin përmbushur disa specifikime teknike të kërkuara.

Sipas dosjes së tenderit, që e ka parë Demokracia.com, data e përfundimit të punimeve ishte parashikuar të ishte 210 ditë kalendarike. Kontrata fillestare ishte nënshkruar më 23 mars 2023.

Në mars të vitit 2023, Komuna e Prishtinës kishte nënshkruar një kontratë me kompanitë Olti Trasing SH.P.K.; BENI DONA GR për “Ndërtimi i shkollës së mesme 7 Shtatori”. Vlera e kontratës ka qenë 1,878,000.00 euro ose mbi 300 mijë euro mbi vlerën e parashikuar të kontratës. Në këtë rast, komuna ka mundur ta anulojë këtë ofertë, sepse ka qenë mbi parashikimin e saj dhe Ligji i Prokurimit lejon flakjen e ofertave mbi planifikim, anise ishte më e lirë se ofertat e tjera.

Pasi filluan punimet, komuna konsideroi se projekti nuk ishte hartuar siç duhet dhe aprovoi disa punë shtesë në një vlerë prej 55,635.30 euro. Aneks-kontrata me negocim për këto punë shtesë u lidh në korrik të vitit 2024 dhe punët shtesë u përllogaritën të përbënin 2.96% të vlerës së kontratës fillestare.

Në shtator 2024, komuna shpalli një kontratë të re me negocim për punët shtesë të “Ndërtimit të shkollës së mesme ‘7 Shtatori’”. Vlera e kësaj kontrate është 132,100.97 euro ose 7.03% e vlerës fillestare të kontratës. Pavarësisht se punët shtesë të para ishin në nivelin e 2.96%, vlera e re e punëve shtesë është afërsisht 7% e kontratës fillestare, e cila është ende brenda kufirit ligjor prej 10%. Megjithatë, është e zakonshme që punët shtesë të arrijnë vlera më të larta si 3%, 5% ose 6% të vlerës bazë të kontratës, pasi që raste si ky janë të rralla.

Kur punët shtesë përbëjnë saktësisht 10% të kontratës, ka disa arsye për të dyshuar. Njëra prej këtyre arsyeve është se nëse punët shtesë janë të shumta ose të konsiderueshme, mund të vështirësohet vlerësimi i nevojave fillestare të kontratës dhe specifikimeve të saj.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik të Republikës së Kosovës, punët shtesë mund të kontraktohen vetëm për ato pozita ose punë që janë të lidhura ngushtë me kontratën bazë dhe që janë parashikuar në dokumentet e prokurimit. Nëse një pozicion apo punë nuk është përfshirë në kontratën bazë dhe nuk është parashikuar si punë shtesë, nuk lejohet që të kontraktohet me aneks kontratë.

Nëse ndonjë punë nuk është parashikuar qysh në fillim në kontratë, institucionet publike duhet të zhvillojnë një proces të riprokurimi për ato punë ose shërbime shtesë, në vend që të lidhin aneks kontratë pa proces konkurrues. (Kontrata dhe Paramasa e aneks kontratës)

Pra, në përgjithësi, për punë ose pozita që nuk janë të përfshira në kontratën bazë, nuk mund të lidhet aneks kontratë sipas Ligjit të Prokurimit. (Paramasa e kontratës bazë)

Siç kishte vërejtur Demokracia.com, asnjë pozicion i kontratës së parë të korrikut të vitit 2023 nuk përkon me kontratën bazë të marsit 2023. Pozicionet e reja përfshijnë ndërtimin e kolektorit dhe devijimin e disa kabllove në afërsi të shkollës. Artikujt e rinj të kontraktuar përfshijnë “Punët e Trasesë së Re të Kolektorit”, “Punët e Kolektorit të Ri” dhe “Devijimi i Kabllit ekzistues të rrymës për furnizimin e shkollës së Bujqësisë”.

Në aneksin e dytë të kontratës të lidhur me operatorët “Olti Trasing” dhe “Beni Dona”, janë kontraktuar pozitat e njëjta sikurse në kontratën e parë, por me ndonjë fryrje të konsiderueshme. (Paramasa- pozicionet e punëve shtesë)

Komuna ka konsideruar se projektuesi nuk i bëri llogaritjet e sakta për disa pozita. Për shembull, pozicioni për heqjen e dheut është shumë i dyshimtë. Pozicioni 2.2 “Mihja e tokës së kategorisë III-IV për themelet shiritore dhe pllakën e themeleve në bodrum, transporti në deponinë komunale”, ishte parashikuar të hiqej në kuotën prej 4,015.00 m³.

Ky pozicion ka dalë në një vlerë shtesë prej 3,070.16 m³, që përfaqëson një rritje prej 76.38%.

Në heqjen e dheut, një huqje e tillë mund të bëhet vetëm nga një kompani amatore, ndërsa shpeshherë autoritetet kontraktuese mund të fryjnë kostot për të arritur vlerat e përllogaritura. Kjo ndodh sidomos kur këto janë të vështira për t’u audituar. Po ashtu, janë shënuar edhe punë shtesë në beton, hidraulikë, gips, etj.

Në kontratën e fundit, lloji i procedurës ka qenë i hapur për garim, pasi krejt pozicionet ishin të reja, të cilat nuk ishin paraparë në kontratën e parë. P.sh. disa nga to ishin:

Deri më tani, vlera e projektit ka arritur në 2 milionë e 209 mijë euro.

Ka kohë që nxënësit e shkollës “7 Shtatori” janë pa objekt të tyre dhe mësimet i zhvillojnë në hapësirat e ish-gjimnazit “Eqrem Çabej”. Aktualisht, rreth 200 nxënës shfrytëzojnë një objekt me vetëm 5 klasa, ndërsa një pjesë e hapësirës është kthyer në kopsht për lagjen “Sofalia”. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

Aneks kontrata e dyfishtë për ndërtimin e shkollës, Komuna e Prishtinës shkel ligjin dhe rrit financimet për kontraktorin e lidhur me LDK-në