Ismet Tara: Dëshmia për UNMIK-un është trillim sikur dokumenti i humbur nga prokurorja

Dëshmitari Ismet Tara deklaroi në Hagë se dokumenti i UNMIK-ut i vitit 2001, i cili pretendohet se përmban deklaratën e tij, është trillim ngjashëm sikurse dokumenti që sipas tij ka humbur nga prokurorja, e të cilin e ka kërkuar nga e hëna në Gjykatë.

Dëshmitarit iu prezantua një dokument i UNMIK-ut i vitit 2001 dhe u pyet se a është e saktë që ka vendosur kryqe në këto tekste gjatë intervistimit të tij më 2019-ën në Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pasi nuk ishte pajtuar me ato, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ky dokument nuk është fare i imi. Unë nuk jam takuar me këtë Ana Vanozin asnjëherë, asnjëherë”, tha Tara.

Ai tha se ky dokument është shkruar nga dikush i panjohur, për të të cilin nuk e ka takuar kurrë e që rrjedhimisht s’e mban as nënshkrimin e dëshmitarit.

“Nuk janë të sakta fare hiç, por unë po tregoj që ky dokument është përshkruar nga dikush i panjohur pa u takuar kurrë me mua sepse përndryshe e kish pas nënshkrimin tim. Unë nuk lëshoj dokumente pa nënshkrim, unë nuk jam Ismet Tara në këtë kohë që ajo të drejtohet te Ismet Tara për këtë problem. Ky është trillim njësoj sikurse dokumenti që ka humbur prokurorja”, tha Tara.

Ky dokument sipas dëshmitarit është përshkruar sipas dëshirës së Ana Vanozit, duke pretenduar se nuk ka pasur kurrfarë njohurie për dokumentin në fjalë deri më 2019.

“Ky dokument nuk është i vlefshëm për mua. Ky dokument për mua nuk paraqet kurrgjë, ky është dokument trillimi dhe kush e ka bërë nuk e di”, tha Tara.

Ai tha se shumë herë është tentuar që ai ta pranojë këtë dokument, por që ka thënë se nuk është e mundur dhe prandaj i kishte bërë kryqet (X) pasi s’ishte i tij.

Përpara kësaj, u tha se për rastin Dediq, dëshmitari pretendohet të ketë thënë se e kishte paralajmëruar familjen Dediq që të mos largohej nga shtëpia e tyre pasi ishte e pamundur që të kontrollohej popullata edhe gjysma e fshatrave.

Lidhur me këtë nuk u dëgjua përgjigja e dëshmitarit. Por, ai pohoi që nuk ka pasur detyrë dhe as mundësi të kontrollohej popullata.

Ndërsa për Marko Jeliqin, dëshmitari u pyet se a është e saktë që nëna e tij ka raportuar arrestimin e djalit të saj tek ai.

“Ka ardhur një zyrtar, i kujt ka qenë edhe sot e kësaj dite nuk e di. Ai ka pyetur 5-6 herë sa kam qenë komandant për këtë person, Markon”, tha dëshmitari.

Lidhur me këtë rast, kishte dëshmuar edhe Stamena Jeliq, gruaja e Marko Jeliq, e cila për ZPS-në kishte deklaruar se rreth 16 qershorit 1999 ka qenë dëshmitare e rrëmbimit dhe keqtrajtimi të një fqinji të saj nga anëtarët e UÇK-së.

Ndërsa, më 9 gusht 1999 pretendohet se burri i saj ishte marrë nga shtëpia nga tre anëtarë të UÇK-së në prani saj. Sipas ZPS-së, Marko Jeliq nuk ishte kthyer kurrë në shtëpi dhe është zhdukur që nga ajo kohë.

Stamena Jeliq kishte deklaruar se vjehrra e saj kishte kontaktuar në atë kohë me komandantin e UÇK-së për të marrë informacion lidhur me djalin e saj, por që nuk kishte sukses.

“Personi përgjegjës për Rahovecin ka qenë Ismet Tara. Kam dëgjuar nga persona në Rahovec që ai ka qenë përgjegjës për zhdukjen e personave në fjalë. Vjehrra ime kur ka shkuar për të raportuar zhdukjen e djalit të saj, ka shkuar për t’u takuar personalisht me Ismet Tarën. Këtë ma ka thënë ajo personalisht”, ka thënë dëshmitarja Jeliq në këtë rast, por kishte mohuar se është takuar personalisht me Tarën.