Gjermania mbështet mbylljen e institucioneve paralele serbe, por është kundër mënyrës së mbylljes së tyre.
Gjermania ka deklaruar se është dakord që nuk duhet të ketë institucione paralele në Kosovë, por ka kritikuar mënyrën e mbylljes së tyre, duke theksuar se institucionet paralele që ofrojnë shërbime bazike, posaçërisht sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe shërbimeve sociale, nuk duhet të ndërpriten pa marrëveshje paraprake për alternativat.
Zyrtarë të ambasadës gjermane në Prishtinë kanë thënë se mbyllja e këtyre strukturave pa ofruar mundësi të tjera mund të ketë ndikime të dëmshme për jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe të grupeve të tjera, derisa kanë shtuar se mbështesin plotësisht qëndrimin e Bashkimit Evropian pas mbylljes së qendrave sociale në veri të Kosovës.
“Ambasada e Gjermanisë është dakord që strukturat paralele duhet të ndërpriten, por institucionet e shëndetësisë, arsimit dhe ato që ofrojnë shërbime sociale bazë nuk duhet të mbyllen në këtë mënyrë. Mbyllja e strukturave ekzistuese pa marrëveshje paraprake për alternativat mund të ndikojë negativisht në jetën e përditshme të serbëve dhe komuniteteve të tjera”, ka thënë një zëdhënës për shtypin në Prishtinë.
Të premten e javës së kaluar, me urdhër të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, autoritetet kosovare kanë bastisur dhe mbyllur zyrat e tri qendrave për punë sociale, të cilat operonin ilegalisht në pjesën veriore të Kosovës. BE-ja ka kërkuar që problemi i strukturave paralele serbe të zgjidhet në kuadër të kornizës së dialogut të normalizimit.
Autoritetet e Kosovës që nga fillimi i vitit 2024 kanë mbyllur shumicën e institucione paralele të Serbisë në veriun e banuar me shumicë serbe, përfshirë institucionet financiare që vepronin ilegalisht nën sistemin serb, krahas largimit të dinarit. Këto lëvizje kanë përkeqësuar marrëdhëniet e Kosovës me aleatët kryesorë perëndimorë.