Prishtinë, 23 Shkurt 2025 – Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurve D.R., F.Q., SH.K., D.M. dhe R.B., të dyshuar për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprimet përgatitore për vrasje të rëndë.
Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke vlerësuar se caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm për të parandaluar rrezikun e ikjes, ndikimin në prova dhe dëshmitarë, si dhe përsëritjen e veprave penale.
Sipas vendimit, pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre është e lartë, ndaj gjykata ka konsideruar se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e procedurës penale.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.