Vetëvendosja në KQZ vonon shpalljen e rezultateve | Nuk u lejua angazhimi i stafit mbështetës, zyrtarët e KQZ-së detyrohen të skanojnë listat e votuesve

Edhe pse të lodhur nga angazhimi i dy javëve të fundit për mbajtjen e zgjedhjeve, zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është dashur që të lënë anash punën në ndërtesën e KQZ-së në Prishtinë dhe të “zhvendosen” në Qendrën për Numërim dhe Rezultate në Fushë Kosovë.

Në mungesë të stafit mbështetës, zyrtarët e KQZ-së janë detyruar që të paraqiten gjatë fundjavës në QNR për të skanuar listat e votuesve të komunave.

Puna që u është dhënë atyre nuk ka të bëjë asgjë me angazhimin e tyre të përditshëm, por kjo ka ardhur për shkak se KQZ nuk ka angazhuar staf mbështetës për QNR, ashtu siç ka bërë gjithmonë.

Demokracia.com ka mësuar se për kryerjen me kohë të shpejtë të operacioneve zgjedhore vetëm për QNR janë kërkuar 100 persona, që do të merreshin me skanimin e listave të votuesve ose me rinumërim të kutive të votimit nëse kështu do të vendos PZAP pas ankesave.

Demokracia.com ka parë urdhëresën që ka shkuar në adresë të zyrtarëve të KQZ-së që të jenë prezentë në QNR për skanimin e listave përfundimtare të votuesve.

“Prej orës 11 deri në orën 12, do të mbahet trajnime/udhëzime në lidhje me skanimin e LPV” – thuhet në këtë urdhëresë të siguruar nga Demokracia.com.

Kjo situatë ka ngjallur pakënaqësi të madhe në radhët e stafit.

“Kështu nuk ka ndodhur kurrë. Gjithmonë ka pasur staf të mjaftueshëm dhe punët janë kryer pa vonesa”, ka thënë në kushte anonimiteti një nga zyrtarët e mllefosur.

“Me këtë ritëm, ne do të bëjmë disa ditë për të skanuar listën përfundimtare të votuesve”, ka vazhduar ky zyrtar.

Zyrtarët me të cilët ka biseduar Demokracia.com kanë drejtuar gishtin në përfaqësusin e Vetëvendosjes në KQZ, Alban Krasniqin, i cili ka diktuar situatën.

Vonesa në skanimin e listës së votuesve do të vonojë operacionet tjera zgjedhore. Numërimi i votave me kusht s’mund të fillojë pa skanimin e listës votuese.

Para disa ditësh, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për media se pas përfundimit të numërimit në 38 Qendra Komunale të Numërimit, materialet zgjedhore të vendvotimeve, ku bëjnë pjesë edhe lista e votuesve në të cilën janë nënshkruar qytetarët që kanë votuar, dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Një nga punët që bëhet në këtë qendër është edhe skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në 2,533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve. Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht. Pasi të kryhen këto procese, do të mund të fillojë numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës”, ka deklaruar ai. /Demokracia.com/