Megjithëse janë procese të ndara, zgjedhja e presidentit të Kosovës në prill të vitit 2026, po konsiderohet determinuese edhe për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Sipas analistëve politikë, secili koalicion eventual për formimin e qeverisë do të përfshijë edhe çështjen e pozitës së presidentit.
Të njëjtit thonë se në bazë të rezultateve preliminare, nevojitet një koalicion në mes partive më të mëdha në mënyrë që të formohet një qeveri më stabile, e cila më pas do të reflektonte pozitivisht edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit. Megjithatë, vlerësohet se nëse partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje tenton të formojë qeverinë vetëm me komunitetet joserbe dhe “peshkimin”, e ndonjë deputeti, atëherë çështja e presidentit do të lihet në një moment tjetër.
Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së për zgjedhjet e 9 shkurtit, pa përfshirjen e votave me kusht dhe ato të diasporës, Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i ketë 47 deputetë në Kuvend, PDK-ja 25, LDK-ja 20 dhe AAK-Nisma 8 deputetë, si dhe komunitetet joshumicë 20 deputetë.
Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës për zgjedhjen e presidentit duhet të ketë 80 vota të 120 deputetëve sa i ka gjithsej. Në rast se kandidati për president nuk i merr këto vota në dy rundet e para, në rundin e tretë zgjidhet me votat e gjysmës së deputetëve.
Analisti politik, Blerim Canaj thotë për KosovaPress, se formimi i çfarëdo qeverie me një shumicë të thjeshtë, do ishte problematike për zgjedhjen e presidentit dhe për këtë arsyeje ky post do të ketë rol edhe në formimin e Qeverisë.
Ndërkaq, analistja politike, Alma Lama deklaron se në rast të koalicioneve, posti i presidentit patjetër që do të jetë pjesë e “pazareve” për formimin e qeverisë.
Mirëpo, sipas saj, nëse shkohet në një qeveri të pakicës, atëherë çështja e presidentit do të lihet të gjendet një zgjidhjeve në vitin 2026.
Mandati i presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani, përfundon më 7 prill 2026.
Në rast se Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin, atëherë ai shpërndahet dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.