Kuvendi i Kosovës ka hapur një tender për furnizim me tepisona dhe perde. Për blerjen e tyre do të shpenzohen 30 mijë euro. Me këto para do të blihen gjithsej 13 artikuj të ndryshëm dhe disa pastruese të këpucëve.
Nëpër dyshemenë e Kuvendit të Kosovës shumë shpejt do të vendosen disa tepisona të rinj. Por, edhe nëpër dritare do të ketë perde të reja.
Gjithashtu në hyrje të këtij objekti do të jenë të vendosura edhe disa pajisje për pastrim të këpucëve, shkruan Demokracia.com.
Gjithë këtë investim, Kuvendi ka vendosur ta bëjë përmes një tenderi që parashihet të kap vlerën 30 mijë euro.
“Furnizimi me tepisona dhe perde, gjithsej 13 pozicione. Vlera e parashikuar e kontratës: 30,000.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve data 14.03.2025”, thuhet në njoftimin e shpallur.
Kuvendi ka treguar se ky tender është ndarë në tre grupe, në vlera të ndryshme të parave.
“Vlera totale e parashikuar (30,000.00 €), e cila mund të shpenzohet për kategori është: Grupi I: 500.00 euro. Grupi II: 28,500.00 euro. Grupi III: 1,000.00 euro”.
Në dosjen e tenderit janë vënë edhe disa kushte për kompaninë që do ta bëjë këtë furnizim.
“Furnizuesi duhet të dëshmojë se ka kapacitet të mjaftueshëm njerëzor dhe mjete pune për çmontimin e Inventarit në Sallën Plenare si dhe pas montimit të tepihut të ri, inventarin e njëjtë duhet ta kthejë (montoj) në gjendjen paraprake. Cilësia e furnizimeve duhet në të gjitha aspektet të plotësojë specifikimet teknike të parashtruara në dosjen e tenderit. Nëse operatori ekonomik gjatë ekzekutimit të kontratës furnizon artikuj, i cili nuk i plotëson këto kushte, duhet të kthehet dhe të zëvendësohet me artikujt tjetër në pajtime me specifikacionin e kërkuar në dosjen e tenderit”.
Kuvendi ka paraparë edhe disa vizita para dorëzimit të tenderit. /Demokracia.com/