Videoja që po qarkullon në internet, ku shfaqet e kaluara e errët e Katarina Agjançiq, nënkryetare e Erden Atiqit në komunën e Mitrovicës së Veriut, si paramalitare vullnetare në luftën kundër Kroacisë, ka bërë bujë të madhe në rrjetet sociale.
Nacionale ka mësuar se Agjançiq i ka kërkuar një përdoruesi të TikTok-ut fshirjen e një interviste të saj për televizionin serb nga frika e “dëmtimit të reputacionit të saj” për shkak të pozitës që mban në një institucion të Kosovës.
Pas përhapjes së lajmit, Nacionale, përmes një burimi anonim, ka mësuar detaje të reja rreth të kaluarës së Agjançiq-it.
Në pamjet e publikuara, që dyshohet se datojnë nga vitet ’90, ajo shfaqet duke dhënë një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), në kohën kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit nisi agresionin në Kroaci.
Sot Katarina Agjançiq është pjesë e institucioneve të Kosovës dhe madje është takuar disa herë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të takimeve me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.




Sipas këtij burimi, ajo ka shërbyer si “vullnetare çetnike në një njësi çetnike” dhe ka marrë pjesë aktive në periudhën kur regjimi i Millosheviqit zhvilloi luftën në Kroaci.
Për më tepër, burimi tregon se Agjançiq ka kontaktuar një person në TikTok, duke i kërkuar të fshijë videon, me arsyetimin se “punon si zyrtare e lartë në Ministrinë e Financave të Kosovës dhe se kjo do të dëmtonte reputacionin e saj.”
Gjatë ditës, gazetari Shkodran Hoti e ka publikuar intervistën e Adjançiq , duke shkruar:
“Kjo është Katarina Adjancic, sot nënkryetare e Mitrovicës së Veriut, konkretisht e Erden Atiqit të VV’së.
Në këtë video është gjatë viteve të ’90-ta, si paramalitare vullnetare në luftën kundër Kroacisë. Në video po tregon se kush është dhe pse i është bashku luftës”.