Xhipat e zinj të Kurtit, Zyra e Kryeministrit shpall tender 9 mijë euro për larje të veturave

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka shpallur një tender 9 mijë euro për larje të veturave. Nuk dihet sa vetura do të pastrohen me këto para, veçse ato duhet të pastrohen “shpejtë, me cilësi dhe me prioritet”.

Xhipat e zinj të Albin Kurtit do të “vezullojnë” tash e tutje. Rrugët e Kosovës, ata do t’i shkelin të pastër e të larë si kurrë më parë.

Që Kurti të ndihet sa më rehat e më i freskët në këto vetura, zyra e tij ka vendosur t’i shpenzojë 9 mijë euro të buxhetit të shtetit, shkruan Demokracia.com.

Kjo vlerë e parave do të shpenzohet për “larjen e automjeteve zyrtare”.

“Vlera e parashikuar e kontratës: 9,000.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve:  data 21.02.2025. Larja komplet me shampo (brenda dhe jashtë) e automjeteve zyrtare (gjatë 7 ditëve të javës). Ekstra larje (brenda dhe jashtë, përfshirë tavanin, ulëset, dyert etj). Ujë / shampon i xhamave për automjete”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Tutje tregohet se larja komplet me shampo (brenda dhe jashtë) e automjeteve zyrtare do të bëhet fiks 1300 herë.

Ekstra larje (brenda dhe jashtë, përfshirë tavanin ulëset, dyert etj do të bëhet për 30 herë.

Kurse, ujë / shampon i xhamave për automjete do të jetë në sasi prej 1000 copë.

Janë kërkuar edhe disa kërkesa teknike dhe profesionale për kompaninë që do të fitojë këtë tender.

“Në mënyrë që të dëshmohet se operatori ekonomik i plotëson kërkesat minimale mbi mundësitë teknike dhe apo profesionale, operatori ekonomik duhet të prezantojë 1.Hapësirë të mjaftueshme për larje  minimum 50 m2 dhe me minimum tre (3) ndarje për larjen e automjeteve. 2.Rezervuar të ujit minimum një (1) me kapacitet prej 1.000 L. 3. Gjenerator në rast mungese të rrymës minimum një (1) 4.Pajisje për larje me ujë të ngrohtë minimum një (1)”. /Demokracia.com/