Dumani zbulon strategjinë e SPAK: Krimi zgjedhor duhet të goditet në kohë

Në një takim me kreun e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, kryeprokurorin Olsian Çela dhe eksponentë të tjerë politikës, Altin Dumani foli për strategjinë e SPAK për goditjen e krimit zgjedhor duke u shprehur se krimi zgjedhor duhet goditur në kohë, sepse sipas tij kështu ka efekt më të madh publik.

Ditën e djeshme, kryeministri Rama kritikoi SPAK për daljen në terren për zgjedhjet, duke e quajtur ‘lajthitje të momentit’.

“Ju thatë se askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë që është në përmbushje të detyrimeve ligjore kushtetuese. Ne jemi institucioni i ndjekjes penale dhe është detyrimi ynë kushtetues dhe ligjor që sa herë para nesh paraqitet një rast për t’u trajtuar si një fakt penal, ne jemi të detyruar të kryejmë të gjitha hetimet përkatëse për ngritjen e një akuze.

Kemi bashkëpunim shumë të mirë me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm. Kemi rënë dakord për të përcaktuar mënyrën konkrete sesi do të trajtohen rastet që do paraqiten para zyrës sonë apo zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, për të evituar edhe konfliktin e kompetencave, për të zgjidhur në kohë reale këto probleme dhe që hetimi të vijojë.

SPAK ka hartuar një strategji, qëllimi i së cilës është të parandalojë dhe hetojë në mënyrë të plotë dhe me transparencë veprat penale gjatë zgjedhjeve për Kuvendin 2025, për vepra që janë në kompetencë të kësaj strukture. SPAK ka parashikuar edhe grupe hetimore në terren, që do të veprojnë duke u koordinuar dhe bashkëpunuar me KQZ, me Policinë e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese. Kur krimi zgjedhor goditet në kohë, efekti publik është i madh dhe kundërta. Zgjatja e hetimeve post faktum, edhe nëse prodhon drejtësi, krijon mosbesim”, tha Dumani.