Kryetari i Komunës së Gjakovës, njëherësh kandidat për deputet i koalicionit AAK-Nisma me partnerë, nuk beson se partneri i tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit, Fatmir Limaj, do të shkojë në koalicion me Albin Kurtin.
Gjini ka komentuar deklaratat e numrit dy të listës së partisë që garuan bashkë në koalicion për zgjedhjet e 9 shkurtit, Fatmir Limajt, i cili dje tha se është i hapur të ulet dhe të bisedojë me kryeministrin Albin Kurti.
Gjini tha se nuk është as momenti dhe as qasja e duhur për deklarata të tilla, teksa e cilësoi gabim mënyrën se si e ka thënë Limaj këtë deklaratë.
“Deklaratat e tilla krijojnë mjegull, e cila sot mes zyrtarëve tanë dhe Nismës në masë të madhe është sqaruar. Pozicioni është që duam të mbesim bashkë dhe të vazhdojmë bashkë dhe synimi është që ta kemi një qeveri të opozitës”.
“Do të mbesim bashkë si grup. Në këtë fazë nuk mund t’i di detajet, por besoj se nuk ka qenë as momenti as konteksti që t’i nxjerr tash, ende pa u numëruar votat dhe pa u parë qasja e partive”, tha Gjini në Rubikon në Klan Kosova.
Aktualisht koalicioni AAK-Nisma kanë tetë deputetë, ku AAK ka pesë e Nisma tre, ndërsa Gjini tha se gjasat janë që rezultati aktual të ndryshojë pasi shumë kandidatë sipas tij janë shumë afër me vota me njëri-tjetrin.
“Aleanca do ta ndihmojë opozitën që të krijojë qeveri. Qasja jonë është kjo. Mendojmë që një riciklim i Albin Kurtit do t’i sjell Kosovës dëme tashmë të pariparueshme. Prej asaj që më është interpretuar mua është se nuk ka luhatje në pozicion, por deklarata të tilla shkaktojnë konfuzion”.
“Edhe unë e kam të qartë se disa pozicione ndryshojnë gjatë fushatës dhe pas fushatës, por nuk mund të ndryshojnë qëndrime thelbësore. Qëndrimi thelbësor është se Albin Kurti është e keqja e Kosovës dhe synimi i Aleancës është që ta mbështesim krijimin e një qeverie nga opozita”, tha ai.
Gjini tha se deklarata e djeshme e Limajt është sqaruar mes partive AAK dhe Nisma.
“AAK-ja e ka pozicionin e qartë. Nuk besoj që zoti Limaj do të shkojë të negociojë me Albin Kurtin për të hyrë në koalicion. Jo vetëm për shkak se besoj çka kanë biseduar kolegët e mi sot, por edhe për shkak se nuk ka logjikë. Mund të bëjmë shumë analiza, por nuk ka logjikë”, u shpreh Gjini.