Hyseni nuk kthen përgjigje për miratimin e buxhetit/ A rrezikon Gjilani të shkojë në zgjedhje të parakohshme?

Komuna e Gjilanit ende nuk ka arritur të miratojë buxhetin për vitin 2025 në Kuvendin Komunal.

Kryesues i Kuvendit Komunal të Gjilanit, Kushtrim Kadriu, tha për Gazetën Insajderi, se kryetari Hyseni ka pasur afat deri sot të kthej një përgjigje se a dëshiron ta miratojë buxhetin duke bashkëpunuar me opozitën.

Por, sipas Kadriut, ai nuk është përgjigjur.

“Ne kemi pas një dakordancë që sot të marrim një përgjigje nga kryetari Alban Hyseni, pasi ka kërkuar kohë shtesë që ta pyes partinë e tij se a janë ë gatshëm ta miratojnë buxhetin duke bashkëpunuar me opozitën dhe kryetari nuk ka kthy më përgjigje. Orari administrativ ka përfunduar në orën 16:00 dhe kam prit që ta harmonizojmë një agjendë. Unë kam ftu dëgjim publik me komunitetin për politik dhe financa dhe më këshilltarë dhe menjëherë do ta ftojmë një seancë urgjente që propozimet të votohen”, deklaroi ai.

I pyetur se çka mund të ndodh nëse nuk miratohet buxheti, Kadriu tha se nuk ka ndodhur asnjëherë në Kosovë një gjë e tillë.

Ndërsa mundësinë që Gjilani të shkojë në zgjedhje të parakohshme e sheh si të pamundur.

“Nuk ka ndodh ndonjë rast i tillë në Kosovë, por idea që po diskutohet se të shkojë Gjilani në zgjedhje të parakohshme për mu me duket e pa realizueshme sepse zgjedhjet planifikohen të mbahen në shtator apo në tetor dhe do jetë e pamundur organizimi i dy parë zgjedhjeve”, tha ai për Insajderin.