Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se aktualisht janë duke bërë vlerësimin e pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, nga votimi përmes postës.
Elezi në një bisedë për Albanian Post ka thënë se këtij procesi i janë nënshtruar mbi 48 mijë pako.
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 20 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 48,018 pako, prej të cilave janë aprovuar 45,004 ndërkaq janë refuzuar 3,014”, ka thënë Elezi për AP.
Ai ka sqaruar se arsyeja përse të njëjtat janë refuzuar, është pasi që të njëjtat nuk janë plotësuar në mënyrën e duhur.
“Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim”.
Teksa ka shtuar se, “procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen edhe 20 mijë e 938 pako me fletëvotime”.
84 mijë e 600 mijë persona ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe mbi 20 mijë të tjerë ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.
“Nga 20 mijë e 324 në përfaqësi diplomatike kanë votuar 15 mijë e 352 votues, ndërkaq në votimin përmes postës KQZ ka pranuar rreth 69 mijë pako me fletëvotime”.
Ndërsa sa i përket numrit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta numri i zarfeve me fletëvotime nga vendvotimet me kusht është 12 mijë e 801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit.
“Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2 mijë e 597 vota”.
Ai potencon se numërimi i votave me kusht dhe votave të diasporës do të fillojë pas përfundimit të të gjitha procedurave.
“Procedurat janë: Skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në vendvotimet e rregullta me qëllim të krahasimit me votuesit nga vendvotimet me kusht; vlerësimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, KQZ do të fillojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave nga votimi jashtë Kosovës”.
Ky proces do të nis gjatë javës së ardhshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Kurse, pas përfundimit të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit, materialet zgjedhore të vendvotimeve, ku bëjnë pjesë edhe lista e votuesve në të cilën janë nënshkruar edhe qytetarët që kanë votuar, dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
“Një nga punët që bëhet në këtë qendër është edhe skanimi i listës së votuesve të nënshkruar në 2 mijë e 533 vendvotime të rregullta në ditën e zgjedhjeve. Skanimi i listës së votuesve të vendvotimeve të rregullta është i domosdoshëm para se të fillojmë me numërimin e votave nga vendvotimet me kusht, sepse na ndihmon që të sigurohemi se askush nuk ka votuar dy herë, në vendvotimin e rregullt dhe në vendvotimin me kusht”.
Zgjedhjet parlamentare të këtij viti u mbajtën me 9 shkurt, ku partia e parë doli Lëvizja Vetëvendosje me 40.83 për qind.
Pas LVV-së radhitet Partia Demokratike e Kosovës me 22.15 për qind, dhe në vendin e tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.59 për qind.