Bekim Salihu nga Instituti GAP ka folur për deklarimet e fundit të kreut të NISMA-s, Fatmir Limaj, për një bashkëpunim të mundshëm edhe me Lëvizjen Vetëvendosje.
Salihu ka thënë se AAK dhe NISMA kanë përdorur njëra-tjetrën në zgjedhje, AAK për të kaluar pragun dhe NISMA për t’u rikthyer në Kuvend.
“AAK dhe NISMA e përdoren njëra-tjetrën, AAK e kaloi pragu, NISMA për të hyrë në Kuvend.Nuk besoj që kanë mundur t’i parashikojnë zhvillimet dhe për atë se si do të ecet tutje. Qëndrimi i z. Limaj, përveç aspektit të së drejtës së tij, që s’mund të kontestohet”, ka thënë Salihu.
Ai tutje ka thënë se Limaj është ngutur me deklarimin e tij, meqë do të duhej partia fituese që të shpreh preferencat për partnerë koalicioni. Salihu shton se kreu i NISMA-s mund të bie keq nëse Kurti e refuzon.
“Fatmir Limaj mund të bie shumë keq, nëse Kurti e refuzon. Limaj do të devalvohet politikisht në opinion. Sepse as s’do të mund të kritikonte qeverinë e as të bëhej pjesë e saj. Me duket vendim i nxituar”, ka thënë Salihu në FRONTAL.