Në ditën e fundit të konferencës së Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, Anna Di Lellio publikoi gjetjet e hulumtimit njëdekadësh për përdhunimet gjatë luftës. Ajo theksoi nevojën për përpjekje më të mëdha në dokumentimin e rasteve të dhunës seksuale.
Për një dekadë, Anna Di Lellio ka qenë e angazhuar në hulumtimin e dhunës seksuale me bazë gjinore, që është kryer gjatë luftës në Kosovë.
Gjetjet e hulumtimit ajo i prezantoi të mërkurën në konferencën shkencore të Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Di Lellio tha se personat e dhunuar seksualisht ishin të moshave nga 9 deri në 70 vjeç.
“Krimet ndodhën çdokund, në çdo moshë, kudo në Kosovë dhe ndaj çdokujt që është gjetur në këtë situatë të tmerrshme. Ishte përnjëmend sulm ndaj integritetit, ndaj sigurisë së njerëzve shkaku i asaj se kush ishin, ngase ishin shqiptarë. Po flasim për përdhunim, po flasim për prerje, për djegie, për dhunë të vërtetë”, deklaroi Di Lellio.
Ajo theksoi nevojën për përpjekje më të mëdha në dokumentimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës.
Për sfidat në këtë proces foli edhe Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Rehabilituese të Kosovës për Viktimat e Torturës.
“Kur flasim për sfidat edhe vështirësitë, mendoj që janë të shumta. Kjo e dëshmon më së miri që 15 vjet me radhë ky grup i ndjeshëm shoqëror nuk ka qenë pjesë as e infrastrukturës ligjore, as e diskurseve politike e as shoqërore. Është dashur që të punohet shumë e me ngulim që të krijohet kjo hapësirë shoqërore ku të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës të njihen publikisht e më vonë edhe ligjërisht”, deklaroi Rushiti.
Në ditën e fundit të konferencës, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, e cila është e mbijetuar e masakrës në familjen Bogujevci, theksoi se Kosova ende nuk i ka adresuar në mënyrë të duhur krimet e luftës.
“Kur flasim në aspektin e drejtësisë, mendoj që jemi shumë larg për t’i adresuar krimet e luftës që janë kryer në Kosovë, por këtë nuk e kisha ndërlidhur specifikisht vetëm me përgjegjësi që duhet të adresohet për brenda institucioneve të Kosovës. Është e rëndësishme të potencohet përgjegjësia që ka Serbia në këtë drejtim”, tha Bogujevci.
Konferenca ndërkombëtare “Shkalla, Trashëgimia, Dokumentimi dhe Gjykimi i Krimeve të Kryera në Kosovë” nisi punimet të hënën, në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, dhe u mbyll të mërkurën.