Prindërit e fëmijëve të hospitalizuar blejnë tretësirat për injeksione e infuzionet

Fëmijë të shtrirë në Klinikën e Pediatrisë në QKUK ballafaqohen me mungesë të medikamenteve bazike, përfshirë tretësirat për infuzione, injeksione e anestetikë lokalë, por edhe të ilaçeve që përdoren për rregullimin e aktivitetit të sistemit kardiovaskular e respirator. Prindër të disave prej tyre kanë dokumentuar se të gjitha këto produkte janë detyruar t’i sigurojnë nëpër barnatore private.

Prindër që i kanë fëmijët e shtruar në reparte të Klinikës së Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare (QKUK), janë obliguar t’i blejnë vetë injeksionet, tretësira për injeksione, si dhe infuzionet.

Një prej këtyre medikamenteve është tretësira për injeksion, “Devapen”, që përdoret për ta rregulluar aktivitetin e sistemit kardiovaskular dhe respirator. Këtë produkt, që aktualisht është në mungesë në këtë klinikë, mjekët ia kanë përshkruar një fëmije.

Nëna e këtij fëmije i ka treguar KOHËS, në kushte anonimitetit, se gjatë gjithë qëndrimit në klinikë është detyruar që vazhdimisht ta blejë produktin në barnatore private.

Këtë e ka dokumentuar edhe me faturë.

“Po këto injeksione neve na kanë thënë për këtë djalin që ia kanë dhënë… Këto 12 euro, edhe dje i kam blerë 3 euro”, ka thënë ajo.

Tjetër produkt që prindërit janë detyruar ta blejnë nëpër barnatore është një lloj anestetiku lokal, që përdoret për ta përgjysmuar ndjeshmërinë e zonës ku aplikohet.

Krahas këtyre produkteve, në Klinikën e Pediatrisë, sipas prindërve, në mungesë janë edhe dy lloje të tjera të tretësirave për infuzion, me përmbajtje të glukozës.

“Një glukozë a nuk e di çka ishte, nuk po gjendet nganjëherë… Kjo glukozë, në ditën e parë që kemi ardhur e kemi blerë natën se nuk ka pasur”, ka thënë prindi i një fëmije të shtruar në klinikë.

Për mungesën e këtij produkti, ka treguar edhe një prind tjetër, i cili gjithashtu ka folur në kushte anonimiteti.

“Më kanë thënë glukozë. Këto, sidomos kur kam qenë në një repart më poshtë, se këtu prapë s’po na shtinë. Atje na kanë shti me ble non-stop, asi edhe ‘Dextrose’. Po edhe në barnatore kur kemi shkuar, kemi hequr shumë për t’i gjetur… E këtu asnjëherë nuk na kanë dhënë. Gjithmonë na kanë pyetur a i keni blerë qeto për të mundur të marrë fëmija infuzionin”, ka thënë ai.

“Për mungesën e tretësirave dhe ilaçeve në Klinikën e Pediatrisë, KOHA ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar, por përgjigjet kanë munguar.

KOHA javën e shkuar ka raportuar se në Klinikën e Pediatrisë prej më shumë se shtatë muajsh nuk ka furnizim as me hormonin e rritjes, Somatropin. Për pasojë, prindër të fëmijëve që duhet ta marrin këtë bar në bazë ditore, janë detyruar që ta blejnë vetë ilaçin, në treg privat, e me kosto vështirë të përballueshme.