Vengu: Shqipëria do të pajiset me dy avionë, dronë, mbrojtje kundërajtore dhe sisteme artilerie

Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Pirro Vengu, heqjen e aseteve ushtarake ndër vite e cilësoi si një gabim të pafalshëm, ai se sot janë pajisur me mbrojtje kundërajtore, sisteme artilerie, dronë dhe madje shumë shpejt do të ketë dhe 2 avionë të cilët do të përdoren për shkollën e pilotëve, por edhe emergjencat.

“Ne synojmë të marrim seriozisht kërcënimet në rajon. Kemi kërcënimet hibride që po bëhen agresive dhe Shqipëria nuk përbën përjashtim. Synojmë të rijetëzojmë industrinë ushtarake. Na duhen sisteme të caktuara dhe të jemi të strukturuar në parandalimin e kërcënimeve. Shpesh herë njerëzit e lidhin fuqinë kombëtare me prestigjin. Por strategjia jonë nuk është lidhur me nostalgjinë. Sot nuk kemi asnjë avion ushtarak e bombardues. Ky ishte një gabim i pafalshëm që kemi hequr shumë asete duke e katandisur FA në një forcë modeste. Jemi në kurbën e ringritjes. Nuk dua të them kush është përgjegjës”.

“Më thonë përse nuk blen Shqipëria tanke. Çfarë do bëjmë me to. Ne jemi duke u armatosur si vendet e NATO. E gjithë aleanca është në një fazë riarmatosje. Ne po marrim sisteme artilerie, mbrojtje kundërajrore, kemi 3 dekada që nuk i përdorim më. Kemi flotën e dronëve që i kemi zgjedhura dhe do të marrim pajisje të tjera. Nuk është shqetësues fakti që nuk kemi asnjë avion. Jemi pjesë e një sigurie kolektive. Nuk është synimi që të gjithë aleatët të kenë F-16 apo Rafale. Do kemi element krenarie sa i përket armatimit. Do investojmë në dy avionë që të kemi një shkollë pilotësh për avionë. Ky është një problem. Këto avionë do të shërbejnë dhe për emergjencat civile. Kemi përmbushur detyrimet ndaj Aleancës”, tha Vengu në A2 CNN.

Pyetjes nëse Shqipëria do të rikthejë shërbimin ushtarak të detyrueshëm, ministri i Mbrojtjes, iu përgjigj se synimi parësor është që FA të bëhet tërheqëse për të rinjtë dhe për të hapur për ta mundësi karriere brenda ushtrisë. Vengu shpjegoi kalimin në kuvend të ligjit për forcën rezerviste dhe objektivat e tij.