Rabit Konjufca, ish i burgosur politik e më pas pjesë e UÇK-së e TMK-së, ka diplomuar në Fakultetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes në Beograd. Ai ka marrë thirrjen Profesor i Mbrojtjes dhe Sigurisë pikërisht në Serbi.
Rabit Konjufca, zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes dhe familjar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e mori diplomën e tij të arsimit të lartë në Beograd të Serbisë në prag të luftës, tregon diploma e tij universitare.
Konjufca, është një nga njerëzit e parë me të cilin këshillohet Ejup Maqedonci, ministri i Mbrojtjes dhe ka qasje në informata të klasifikuara. Xhaxhai i kryeparlamentarit Konjufca shërben si këshilltar në Ministrinë e Mbrojtjes tash e gati katër vite.
Paparaci e ka siguruar diplomën universitare të Rabit Konjufcës, të lëshuar në Beograd.
Diploma dëshmon se Rabit Konjufca, student absolvent i vitit 1981 në Fakultetin e Mbrojtjes dhe të Sigurisë, e mori diplomën në Universitetin e Beogradit me 19 shkurt të vitit 1998.
“I lindur më 08.05.1958 në Llugagji, Lipjan, Serbi, i regjistruar në vitin 1979/80, dhe më 19.02.1998 i kreu studimet në Fakultetin e mbrojtjes dhe sigurisë, me suksesin e përgjithshëm 6,41 (41/100), gjatë studimeve dhe me notën 9 (nëntë) në provimin e diplomës”, thuhet në diplomën e Konjufcës.
Dokumenti, i lëshuar me 19 shkurt të vitit 1998, thotë se “në bazë të kësaj i lëshohet diploma për fitimin e arsimimit superior dhe thirrjes profesionale: Profesor i mbrojtjes dhe sigurisë”.
Shkurti i vitit 1998, i diplomimit të Rabit Konjufcës, shënon edhe fillimin e luftës në Kosovë.
Më pak se tre muaj para fillimit të luftës, në 28 nëntorin e vitit 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kishte dal për herë të parë publikisht në skenë. Situata ishte tensionuar dukshëm gjatë muajve pararak. Vetëm dy ditë para daljes së UÇK-së në skenë, forcat serbe kishin vrarë mësuesin e Llaushës, Halit Gecin.
Në javën e fundit të shkurtit të vitit 1998, u shënuan sulmet e para të ushtrisë serbe ndaj popullatës civile. Ndodhen saktësisht më 28 shkurt në Likoshan e Qirez të Drenicës, ku forcat serbe ekzekutuan 24 civilë shqiptarë.
Xhaxhai i kryeparlamentarit Glauk Konjufca nuk e ka mohuar vërtetësinë e dokumentit, të cilin Paparacia ia ka dërguar ta shohë të enjten.
Ai është arsyetuar se “thjesht” ka shkuar ta marrë diplomën në Beograd në shkurtin e 1998-s, pasi studimet i kishte kryer gati 20 vjet më parë: më 1981.
Konjufca, në një deklaratë me shkrim për Paparacin, ka thënë se përndryshe do të mbetej i padiplomuar. Ka thënë se pastaj është mobilizuar për luftë dhe i është bashkuar Brigadës 131 “Kumanova”.
“Kam shku e kam marrë diplomën thjesht. Sepse pas Prekazit kisha mbetë pa diplomë dhe isha llogaritë i padiplomuar. Pastaj kur jam mobilizu në luftë në Brigaden 131 Kumanova më kishin llogaritë si shpijun”, ka thënë ai.
Konjufca tha se ka qenë student absolvent në Fakultetin e Mbrojtjes dhe të Sigurisë në fillim të viteve 80′.
“Kam diplomuar disa vite më herët, por diplomën nuk kam mundur ta marrë. 81-shin kam apsolvuar, 82-shin kam filluar me punu në Drenas. 84-ten jam diferencuar dhe përjashtuar në Drenas. Të tjerat janë sfida që nuk mundem me t’i spjegu të gjitha”, tha Konjufca. “Ju lutem mos bëni hajgare me mua”.
Studimet e tij ishin ndërprerë për shkak të vëllait të tij që kishte rënë në burgjet serbe, bëri të ditur ai.
“Unë jam veteran i luftës sepse i kam dy vitë akademi ushtarake dhe fakultetin e mbrojtjes dhe kam filluar karierën si profesor në Drenas. Kurse pas burgosjes së vëllaut tim me burg të rëndë nuk kam mundur me përfundu fakultetin dhe jam ballafaquar me shumë sfida. Edhe kjo ditë e marrjes së diplomës ka qenë një sfidë në vete”, ka shtuar Konjufca.
Rabit Konjufca është veteran i luftës dhe aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.
I angazhuar fillimisht si kryetar i Qendrës së Vetëvendosjesnë Lipjan, Konjufca ka kandiduar edhe për kryetar të Komunës së Lipjanit në vitin 2014.
Ai në vitin 2021 u emërua këshilltar politik në Ministrinë e Mbrojtjes, pozitë të cilën e mban edhe sot