Ngrohja jo stabile në palestrën sportive të Pejës – shkak i mosnumërimit të votave

Ngrohja në palestrën sportive “Karagaçi” në Pejë, ku po pretendohet të mbahet numërimi i votave, ka shkaktuar probleme dhe ka ndikuar në proces.

Egzon Gjuka, hendbollist dhe menaxher i palestrës, ka theksuar se sistemi i ngrohjes funksionon me naftë dhe është aktiv, por për shkak të vjetërsisë së ndërtesës nga vitet ’70, ai nuk mund të mbajë temperaturën e duhur më shumë se 14 orë.

“Dje ngrohja ka qenë në funksion për 14 orë, ndërsa sot nuk po arrin të mbajë ambientin të ngrohtë”, tha ai, në emisionin “Fol me Arin” në Klan Kosova FM.

Nga ana tjetër, një prej anëtarëve të Këshillit Komunal Zgjedhor ka deklaruar se mungesa e ngrohjes po krijon kushte të papërshtatshme për punë.

“Lusim instancat më të larta të ndërhyjnë, përndryshe do të duhet të ndryshojmë lokacion. Dje kishim ngrohje, sot jo, prandaj nuk ka nisur ende numërimi”, theksoi ai.