Presidentja Osmani pret në takim kryetarin e KQZ-së, i kërkon llogari për problemet në numërim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Tema kryesore e këtij takimi ishte mbarëvajtja e procesit zgjedhor, me ç’rast Presidentja ripotencoi rëndësinë e angazhimit të plotë për garantimin dhe ruajtjen e integritetit të këtij procesi.

Lidhur me problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve, z. Radoniqi sqaroi se KQZ-ja, menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme. Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem.

Njëkohësisht, Presidentja Osmani është njoftuar nga z. Radoniqi se KQZ-ja, është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve. Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit.

Që nga dita e zgjedhjeve, Presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik.

Në takim, Presidentja Osmani shtroi nevojën e koordinimit të mekanizmave institucional për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vetë votës së qytetarëve.