Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë largohet nga platforma X, ish-Twitter: Ka degjeneruar në vend mbeturinash

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë ka njoftuar se ka vendosur ta lë X-in, platformën e Elon Musk, të njohur më herët si Twitter.

Jorn Rohde tha në një video të publikuar nga faqja e Ambasada e Gjermanisë në Facebook se është larguar nga kjo platformë, për të cilën thotë se është bërë “një vend i përmbytur nga gjuha e urrejtjes, dezinformimi dhe teoritë e konspiracionit.

“Mjaft është mjaft. Unë vendosa të largohem përgjithmonë nga X ose Twitter, siç njihej më parë! Pse? Për mua, X ka degjeneruar në një vend të përmbytur nga gjuha e urrejtjes, dezinformimi dhe teoritë e konspiracionit”, tha ai.

“Shumë postime synojnë t’i minojnë institucionet tona demokratike dhe shtyhen nga algoritme ku shkëmbimi apo debati i duhur nuk është më i mundur”, shtoi Rohde.

Postime të tilla, ai tha se shihte çdo ditë në X, ndërsa shtoi se është lodhur me këto “mbeturina”.

“Dhe e gjithë kjo po ndodh nën banerin e rremë të fjalës së lirë”, tha Rohde.

Ambasadori tha se tash do të kalojë në platformën Bluesky.