“Në pranga edhe i dyshuari i dytë” – Krejt çka dihet për vrasjen e rëndë në Skenderaj

Një rast i rëndë ndodhi dje në Skenderaj, ku një person u ekzekutua me armë zjarri, për motive akoma të panjohura. Viktima Ismet Ibishi mbeti i vrarë në vendin e ngjarjes, ndërsa tashmë janë identifikuar dy persona të dyshuar dhe arrestuar dy persona për rastin – njëri prej të cilëve është H.I.

Në një njoftim zyrtar, policia bëri të ditur se hetuesit e sektorit rajonal të hetimeve në Mitrovicë Jug, kanë arritur të lokalizojnë dhe arrestojnë edhe të dyshuarin e dytë B.I., rreth 33 vjeçar.

“I dyshuari B.I., mashkull, 33 vjeç, është arrestuar në Prishtinë dhe tek ai janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që ndërlidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ashtu, policia njofton se hetuesit, në koordinim me prokurorin e shtetit, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme proceduralo-hetimore për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.

Paraprakisht, policia arrestoi edhe të dyshuarin tjetër, H.I, 62-vjeçar dhe i konfiskoi tri armë-revole.

Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit, atij i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Për incidentin reagoi edhe Prokuroria, ku rastin e cilësoi si vrasje e rëndë.

Vrasja ka ndodhur rreth orës 13:50 të së mërkurës në një lokal në Skenderaj. Vdekja e viktimës u konfirmuar në vendin e ngjarjes nga mjekët.

Sinjali mësoi dje se personi që mbeti i vrarë me armë zjarri në një lokal në Skenderaj është Ismet Ibishi nip i ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit.

Kështu ka njoftuar vetë Gucati, duke u shprehur i prekur thellë nga vdekja e tij

“Nipi ynë Ismet, lajmi për vdekjen tënde na preku thellë të gjithë, u largove nga kjo botë në vitet e tua më të mira, ishe ai djali energjik, për të gjithë gjeje kohë, humori yt ishte briliant, kështu si të njohem do të mbajmë mend për atë djalin më humorin më të mirë dhe më një zemër të pastër”, ka shkruar Gucati.