Në bjeshkët rreth liqenit të Ujmanit, snajperistët vëzhgonin nga lart, ndërsa poshtë tyre, 300 policë të Njësisë Speciale siguronin që asgjë të paplanifikuar të mos ndërpriste skenarin politik të inskenuar në veri të Kosovës
Në heshtjen e rëndë të mëngjesit, mes mjegullës që mbështillte bjeshkët përreth liqenit të Ujmanit, dy snajperistë të njësive speciale të Kosovës qëndronin të palëvizur në pozicionet e tyre. Të tjerë, të shpërndarë në majat e kodrave, vëzhgonin çdo centimetër të hapësirës nën ta. Aty poshtë, pranë urës që ndan ujmanin ne veri, një tjetër skenë po zhvillohej – jo një përballje, jo një negociatë, por një spot televiziv.
Albin Kurti, i rrethuar nga 300 policë të njësisë speciale, qëndronte përpara kamerës, duke xhiruar atë që do të duhej të ishte një dëshmi e triumfit. Por në vend të qytetarëve, pranë tij ishin forcat speciale. Në vend të zërit të lirë, kishte një skenografi të ndërtuar me kujdes. Në vend të historisë, kishte një iluzion të mbrojtur nga snajperët, qe po pergatitrj për fushatën e tij zgjedhore.
“Ne ishim të pozicionuar nëpër bjeshkë, të shpërndarë në të gjitha pikat strategjike,” rrëfen njëri nga snajperistët, duke ruajtur anonimitetin për shkak të ndjeshmërisë së operacionit. “Ishin dhjetëra të tjerë si ne, të fshehur në kodra dhe pas shkëmbinjve. Askush nuk mund të afrohej. Nuk kishte rrezik real, por gjithçka duhej të dukej e pakontestueshme.”
Për orë të tëra, zona mbeti nën mbikëqyrje të plotë. Rrugët ishin të boshatisura, liqeni i qetë, bjeshkët të heshtura.
“Kjo nuk ishte një vizitë. Kjo nuk ishte një shfaqje e lirisë. Ishte një xhirim”, thotë snajperisti i dytë, duke kujtuar se si kamera rrotullohej me kujdes, duke kapur çdo kënd që duhej të dukej perfekt me Albin Kurtin dhe veriun e tij të çliruar.
Një kryeministër ecën mbi urë tek Liqeni i Ujmanit. Përfundi këmishës, të veshur mban jelekun antiplumb. Skena është e projektuar për të rrëfyer çlirimin e veriut të vendit. Por, për të shkuar dhe veçanërisht për të qëndruar aty , kishte nevojë për një eskortë të stërmadhe dhe të armatosur deri në dhëmbë të njësisë speciale.
Në këtë skenë, gjithçka ishte e koreografuar: ecja që, në çdo hap, jep kapardisjen; kamera që e ndjek; policët e njësisë speciale të rreshtuar si roje të një mali, për t’u siguruar që kjo lëvizje “e lirë” të mos sfidohet nga askush. Rreth tij nuk ka qytetarë, nuk ka njerëz që e përshëndesin, nuk ka spontanitet. Ka vetëm policë të armatosur. Dhe mjete të blinduara.
Në pamjen televizive, gjithçka do të dukej si një fitore. Por ata që ishin atje, ata që fshiheshin në bjeshkë, ata që vëzhgonin nga larg me dylbi dhe snajperë, e dinin të vërtetën: një vend nuk çlirohet duke e xhiruar me regji shtetërore. Një zonë nuk bëhet e lirë kur duhet të mbrohet nga qindra forca speciale për të prodhuar një imazh të pastër të fushatës zgjedhore. Dhe kur kamera është e vetmja që dëshmon “fitoren”, atëherë ajo nuk është liri – është një skenë e përgatitur për ata që nuk duhet ta shohin realitetin dhe e verteta të fshihet.
Liria nuk erdhi me diplomaci. Nuk u sigurua nga pajtimi. Ajo u inskenua, u regjistrua dhe u mbrojt nga qindra forca të armatosura. “Ne nuk ishim aty për të mbrojtur qytetarët. Ne ishim aty për të mbrojtur një mesazh politik që po xhirohej”, shton snajperisti.
Një tjetër rregullon sytë mbi optikën e armës para se të largoheshin nga vendi i xhirimit. Ai shikon poshtë, drejt urës së Ujmanit, ku ndërkohë gjithçka po përfundon. Kryeministri bën shtrëngimin e fundit të duarve me disa policë, para se ekipi i kamerës të mbyllë skenën.
“Të gjithë po largoheshin,” kujton ai. “Ne qëndruam ende lart, duke pritur sinjalin për t’u tërhequr”. Njësia Speciale kishte nisur t’i grumbullonte pajisjet. Ishte momenti kur gjithçka u kthye në normalitet, sepse ky vend nuk ishte më pjesë e narrativës. Tashmë, ishte thjesht një peizazh i boshatisur dhe me vete kishin pamjet e lirisë së munguar dhe “lirisë” së kryeministrit që e kishte marrë me vete nga HD i kamerës, ku Liqeni i Ujmanit pasqyron qiellin gri me pak diell të dimrit të acartë.
Por, liria nuk duket ashtu. Nuk matet me numrin e policëve të armatosur që garantojnë spot-in zgjedhor të një lideri. Dhe as nuk është e varur nga këndet e kamerës dhe hijet e snajperistëve që vëzhgojnë nga larg.
Liria është një diçka e panjohur në ato anë. Sado e kërkon, nuk arrin ta gjesh, as i vetëm dhe as midis njerëzish. Përveç nëse je kryeministër dhe për pak kohë atë ta garantojnë qindra policë specialë. /AlbanianPost/