Logoja me të cilën do të festohet 17-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, vepër e Qeverisë së Kosovës, po kritikohet ashpër në rrjet.
Qeveria e Kosovës e ka prezantuar sot publikisht logon zyrtare shtetërore me të cilën do të shënohet 17-vjetori i Pavarësisë më 17 shkurt, të hënën.
Për shumë komentues në rrjetet sociale, logoja përngjan me akronimin e Vetëvendosjes – VV.
“Pse se bojshit llogon edhe me ngjyra të VV-së?!”, ka shkruar Petrit Pjetër Bylykbashi, një dizajner nga Prishtina, në hapësirën e komenteve te faqja e Qeverisë së Kosovës në Facebook.
Ali Sefaj, një anëtar i sindikatës së shërbyesve civilë dhe kritik i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë me ironi se akronimet e Lëvizjes Vetëvendosje në logon e 17-vjetorit të Pavarësisë, së paku, tregojnë një aspekt pozitiv: që LVV-ja e njeh edhe zyrtrarisht Pavarësinë.
“Ju mund të thoni çfarë të doni, por mua më pëlqen logoja zyrtare shtetërore për shënimin e 17-vjetorit të Pavarësisë”, ironizoi Sefaj, raporton Paparaci.
Edhe Avni Bytyçi, ish-këshilltari i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, e kritikoi ashpër veprën e qeverisë.
Ai, logon zyrtare të shënimit të përvjetorit të Pavarësisë, e cilësoi “një turp”.
“Çfarë turpi. Republika është e të gjithëve”, tha ai.
Përvjetori i 17-të i Pavarësisë së Kosovës do të nisë të hënën me një mbledhje festive të Qeverisë së Kosovës, bazuar në programin e ditës festive të cilin e ka publikuar sot qeveria.
Programi parasheh kryerjen e homazheve nga liderët institucional në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si dhe parakalimin e trupave të FSK-së dhe Policisë së Kosovës në Prishtinë.