Si ka votuar diaspora ndër vite?

Vetëvendosja i fitoi shumicën e votave në të gjitha komunat, përveç në Skënderaj. Ajo shpreson ta përsërisë këtë sukses, në mënyrë që të sigurojë më shumë se 47 ulëse në Kuvend, sa ka aktualisht.

Në zgjedhjet parlamentare të 2021-shit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 80 për qind të votave me postë, pra nga diaspora. Atë vit, rreth 53 mijë persona votuan me postë.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, 2025, diaspora kishte edhe opsionin e votës në konsullata dhe ambasada. Kjo rezultoi me pjesëmarrje më të madhe sesa në zgjedhjet paraprake.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë të martën se në përfaqësitë diplomatike kanë votuar 15.352 qytetarë, ndërsa me postë 68.712.

Megjithatë, ai ka tërhequr vërejtjen që kjo përqindje mund të ndryshojë, pas procesit të vlerësimit të votave që janë pranuar me postë.

Mbi 2 milionë shtetas të Kosovës kanë pasur të drejtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare të këtij viti. Në mesin e tyre kanë qenë edhe 104.924 votues nga diaspora.

Ky ka qenë procesi i parë zgjedhor kur pjesëtarëve të diasporës u është mundësuar votimi në 19 përfaqësi diplomatike në gjithë botën.

Elezi ka thënë se numërimi i votave nga diaspora do të nisë të bëhet pas disa ditësh në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.

Sipas rezultateve preliminare, pas numërimit të mbi 90 për qind të votave, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 40 për të votave, e përcjellë nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17 për qind të votave, dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, rreth 7 për qind të votave.

Një partie i duhen 61 vota të deputetëve në Kuvend për të formuar Qeverinë e re.

Aktualisht asnjëra parti nuk i ka ato. Partitë që aktualisht janë në opozitë kanë përjashtuar mundësinë e ndonjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje për të formuar qeverinë.

Analistët vlerësojnë se në ditët, javët ose edhe muajt në vijim, Kosovën e presin turbulenca politike.