Fitorja relative e Vetëvendosjes – pa shumicë parlamentare për të ndërtuar qeveri – nuk e gjeti këtë parti dhe Albin Kurtin të uruar nga ndokush biletaralisht në rrafshin ndërkombëtar.
Gjer më tash veç një instancë dhe një person i ka dërguar ‘urime’ Albin Kurtit – Internacionalja Socialiste dhe Sali Berisha i Shqipërisë.
Dikur i dhënë si ‘yll në ngritje’ në shtypin ndërkombëtar si “The Guardian” e “Financial Times” Kurti e ka gjetur veten në sy të keq në botën informative.
Të majtët ndërkombëtarë – Internacionalja Socialisate – ishin të parët që si instancë ndërkombëtare uruan Kurtin, siç urojnë çdo parti që është nën ombrellën e tyre ideologjike.
Vetëvendosja dje publikoi letrën e SI-së të nënshkruar nga kryesuesi i tyre, Pedro Sanchez – organizatë kjo ku Vetëvendosja u bë anëtare me të drejta të plota vetëm muajve të fundit.
“Në emër të Internacionales Socialiste, dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta juve dhe Lëvizjes Vetëvendosje për fitoren tuaj të fundit zgjedhore. Ky rezultat është një dëshmi e besimit dhe mbështetjes që populli i Kosovës ka në udhëheqjen dhe vizionin tuaj për të ardhmen”, thuhet në letër.
“Internacionalja Socialiste mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Kosovës në këtë rrugëtim dhe pret me kënaqësi bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm”, thotë letra.
Urimi i dytë në radhë i erdhi nga hiç më pak se kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri – Sali Berisha, i cili fare shkurt shkroi: “Uroj fituesin e këtyre zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosja”:
Në sy të keq të mediave ndërkombëtare…
Si një ‘yll në ngritje’ trajtohej nga shtypi ndërkombëtar në prag të ardhjes në pushtet Albin Kurti – katër vite më vonë germat s’i ka të thurrura njëjtë.
Kurti tash në media si “The Guardian”, “Financial Times” e “La Corriere” nuk skicohet më si personazh novele – por si një ‘nacionalist i linjës së ashpër’ e deri te frazimet si një dikush ‘esktremizmin e të cilit s’ia toleron ShBA-ja’.
Kurt, në shtypin ndërkombëtare, konsensualisht përkthehet si dikush pa prospekt të mirë ndërkombëtar dhe me sfida gjigante.
Ndërkombëtarët po na përcjellin ‘me llupë’ ishte një nga frazat që e përsëriti Kurti disa herë gjatë fushatës zgjedhore: në këtë rast ‘llupën’ e patën mediat ndërkombëtare.
“Financial Times” u ndal pikësëpari për të trajtuar përçmimin sharës që Albin Kurti ia bëri opozirës kosovare si ‘hajvanë dhe hajvanat’ duke ia lexuar në denigrim kafshor diskursin ndaj kundërshtarëve politikë.
‘FT’ ia ruajti në gjuhën origjinale termin ‘hayvan’ dhe e shpjegoi se në çka peshohet semantikisht ai term si denigrim në terma kafshësh.
Marrëdhëniet e rënduara me ‘perëndimin’ ishin pikënisja e trajtimit të Kurtit – për të cilin tha se i duhet ‘të dalë në gjueti’ për partnerë koalicioni ose të përballet me pamundësinë e formimit të një shumice.
Për opozitën thuhet se kanë ‘qëndrime më pro-perëndimore’ se Kurti.
Britanikja “The Guardian” që ka qenë mëse favorizuese për Kurtin – po ashtu pati rezervime në shkronjat kushtuara tij.
Në një editorial të sotëm se si e vështrojnë qeverinë e ardhshme, aty niset me atë se si duhet ‘përafrimi me Bashkimin Evropian’ dhe konkludohet se ‘nacionalizmi’ i Albin Kurtit duhet të retushohet.
‘Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë më pragmatike dhe më pak e nxitur nga nacionalizmi ‘ti je me ne ose kundër nesh’ i zotit Kurti. Por perëndimi duhet të bëjë më shumë sesa ta përballojë atë në gjysmë të rrugës’, shkroi ‘The Guardian’.
Gazeta më e madhe italiane “La Corriere” pati shpjegimet më të ashpra ndaj Albin Kurtit.
‘Partia e tij hiper-shqiptare, Vetëvendosja, nuk ka më shumicë parlamentare dhe kësaj here nuk mund të qeveriv vetëm kundër të gjithëve, kundër Evropës e cila e ka sanksionuar për politika anti-serbe, kundër ShBA-së e cila nuk ia toleron ekstremizmin, kundër opozitës e cila frikësohet për izolim ndërkombëtar…’, thuhet në artikullin e gazetës italiane.
Zgjedhjet parlamentar të 9 shkurtit përfunduan me fitues Vetëvendosjen por pa numra për të krijuar qeveri të vetme – ndërsa vetë dhe opozita kanë refuzuar prerarzi bashkëpunimin me njëri tjetrin për eventualitetin e krijimit të ndonjë qeveri koalicioni.
Vetëvendosja ka marrë 40% të votave, ndërsa ende pritet procedimi i rreth 80 mijë votave të diasporës dhe votave me kusht që përllogariten të jenë diku prej 15 në 20 mijë sosh.
Vota në total e tre partive opozitare shkon aktualisht në mbi 47%.