Aleanca ushtarake veri-atlantike NATO pret që kryeministri i ardhshëm i Kosovës të jetë i përkushtuar për një Kosovë të sigurt dhe të qëndrueshme, si dhe të angazhohet për bashkëpunim me NATO-n dhe KFOR-in për hirë të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Kështu kanë bërë të ditura burime të televizionit Dukagjini në NATO.
Një zyrtar i lartë i kësaj aleance ka thënë gjithashtu se pas zgjedhjeve në Kosovë, NATO-ja pret që udhëheqësi i ardhshëm i Qeverisë, të jetë i gatshëm të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një rrugë e cila garanton sigurinë për të gjitha komunitetet.
Sipas këtij zyrtari, NATO pret të ketë një partner të mirë, ndërsa sa i përket ditës së votimit të dielën, aleanca thotë se ka ndjekur nga afër procesin dhe se e mirëpret që ai u zhvillua pa ndonjë incident të madh sigurie.
Kurse sa i përket situatës së sigurisë në Kosovë përgjithësisht dhe në komunat veriore veçanërisht, NATO vlerëson se gjendja aktuale është e qetë, por e brishtë.
Ky vlerësim jepet në aleancë derisa përmendet sulmi i nëntorit të kaluar ndaj kanalit të ujit të “Ibër Lepencit” në Varagë të Zubin Potokut.
Në dy vitet e fundit, NATO thekson se aleatët e saj kanë qenë të shqetësuar për tensionet e përsëritura dhe shenjat e përshkallëzimit. Në veçanti, theksohen sulmet kundër trupave të KFOR-it në Zveçan gjatë vitit 2023, si dhe sulmi kundër Policisë së Kosovës në Banjskë.
Ky përshkallëzim i sigurisë solli përforcimin më të madh të KFOR-it që nga viti 1999, dhe aleanca beson se kjo ka qenë e dobishme në terren.
Të enjten, selia qendrore e NATO-s në Bruksel do të pres ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare, të cilët pritet të diskutojnë një sërë çështjesh që lidhen me sigurinë dhe mandatin e aleancës veri-atlantike për të ruajtur paqen.
Siç ka mësuar Dukagjini nga një zyrtar i lartë i NATO-s, një nga temat kryesore në agjendën e këtij takimi do të jetë shpenzimi për mbrojtjen. Gjatë përgatitjes së këtij takimi, në kuadër të margjinave të tij, kemi kuptuar se aktualisht po punohet që vendet anëtare të bien dakord mbi objektivat e reja, që vlerësohen ambicioze për kapacitetet e aleancës, të cilat gjithashtu konsiderohen si kyçe.
Një zyrtar i lartë i NATO-s ka bërë të ditur se tema kryesore e diskutimeve do të jetë mbështetja e vazhdueshme e aleancës ndaj Ukrainës përballjen e saj me agresionin e Rusisë.
Gjithashtu, ministrat pritet të diskutojnë edhe për çështje të tjera të rëndësishme, duke përfshirë mbrojtjen e infrastrukturës kritike nënujore dhe misionet e vazhdueshme të udhëhequra nga NATO, përfshirë misionin e KFOR-it në Kosovë, i cili vlerësohet nga aleanca si kyç për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.