Rusia në krizë për fuqi punëtore/ ‘Dynden’ banorët nga Koreja e Veriut drejt opsioneve të lira të punësimit

Kriza për fuqi punëtore ka tërhequr mijëra banorë të Koresë së Veriut të cilët po gjejnë mundësitë për të shkuar në këtë shtet.

Përmes vizave studentore, shumica e punëtorëve janë angazhuar në sektorin e ndërtimit gjatë vitit që lamë pas.

Në vitin 2024, pati një rritje me 12 herë të koreano veriorëve që hynë në Rusi, e kalkuluar rreth 13,221 koreanë.

Kjo shifër është një pasqyrë e rëndësishme e përpjekjeve të Rusisë për të zbutur krizën e fuqisë punëtore, pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe ndikimeve të saj në sektorët ekonomikë të Rusisë, përfshirë ndihmën në industrinë e ndërtimit dhe mbrojtjes.

Sipas Institutit për Studimin e Luftës, Rusia ka pësuar një mungesë të madhe punëtorësh që arrin deri në 1.5 milionë, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se punëtorët nga Koreja e Veriut nuk do të kenë një ndikim të konsiderueshëm në zbutjen e kësaj mungese. Ky veprim i Rusisë për të sjellë punëtorë nga Koreja e Veriut shkel Rezolutën 2397 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila ndalon dërgimin e qytetarëve të Koresë së Veriut jashtë për punë. Rusia mund të përdorë vizat studentore për të fshehur këtë shkelje, duke pretenduar se është mundësi studimi për koreano-veriorët, ndërkohë që ata punojnë. Po ashtu, ushtarët koreano-veriorë po ndihmojnë në linjat e frontit në Ukrainë, veçanërisht në rajonin e Kurskut.