Harxhi i shtëpisë me çmime në hava, me Kurtin 600 euro, para tij rreth 250

Çmimet e shtrenjta të shportës familjare kanë vështirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës. Shifrat janë shqetësuese ngase sipas hulumtimeve në terren nëse nxjerrim një paralele mes vitit 2020 dhe 2024 produktet esenciale ushqimore janë 40% më shtrenjtë.

Kështu ka deklaruar edhe gazetarja Altiana Zogaj e cila e ftuar në Kosova Today, deklaroi se shporta e konsumatorit kosovar është tkurrur, krahasuar me vitin 2020. Zogaj, e cila ka hulumtuar, përmes kronikës demonstroi se me shumën 120 euro, qytetarët nuk arrijnë të përmbushin më as nevojat esenciale.

Për harxhin që sot kushton 600 euro, familjet kosovare gjatë qeverisjeve të kaluara kanë shpenzuar më shumë se dyfish më pak, rreth 250 euro.

Ditë më parë, rritjet enorme i paraqiti të grafikuara edhe analisti, Shenoll Muharremi, duke shfaqur realitetin e ri të krijuar gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.

I shqetësuar për ngritjen e çmimeve u deklarua edhe Selatin Kacanikut nga “OJQ Konsumatori”. Sipas tij, qeveria është kompetente për standardin njerëzor. Madje sipas tij, është mungesa e strategjisë kombëtare për zhvillim ekonomik. Ai apeloi për vetëdijesim qytetar, ku sipas tij vota dhe paraja nuk duhet të falen.

Në anën tjetër, gazetari Ardian Gaxherri shprehu shqetësimin e tij edhe për procesin e subvencionimit nga Ministria e Bujqësisë, ku sipas tij është bërë në baza partiake. Ai përmendi raste kur njerëzit kanë përfituar grante në vlera marramendëse për të ndërtuar stalla dhe të njëjtat nuk janë ndërtuar kurrë.

Kjo, sipas Gaxherrit, çon në kriza të tilla ku çmimet rriten deri në këtë shkallë.

Përpos çmimeve, alarm u ngrit edhe për çmimin e lartë të faturave të energjisë elektrike të cilat sipas qytetarëve kanë prekur majën gjatë muajit janar.