Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka respektuar Planin Operacional për Siguri në rastin e transportimit të fletëvotimeve për në diasporë.
Në kundërshtim me këtë plan, të cilin e ka miratuar më 15 janar, KZQ-ja ka nisur pakot me fletëvotime jashtë Kosovës pa siguri të nevojshme.
Ndonëse në planin në fjalë thuhet se siguria dhe përcjellja e materialit të ndjeshëm zgjedhor gjatë transportimit të pakove të fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës duhet të ofrohet nga Policia e Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Në këtë proces, KQZ-ja ka anashkaluar Policinë e Kosovës dhe zyrtarët e saj, duke ia besuar sigurinë e këtij procesi zyrtarëve të caktuar të MPJD-së.
Në këtë mënyrë, KQZ-ja ka dërguar mbi 21 mijë fletvotime jashtë vendit.
![](https://nacionale.com/uploads/Vendimi-me-llogo.png)
![](https://nacionale.com/uploads/Vendimi-me-llogo.png)
Gazeta Nacionale ka mësuar se 29 më janar, në orët e mbrëmjes, është nisur një kombi me fletëvotime nga KQZ-ja për në diasporë pa asnjë përcjellje nga policia dhe KQZ-ja.
I njëjti burim i ka thënë gazetës se këto fletëvotime janë përcjell vetëm nga dy zyrtarë te MPJD-së, emrat e të cilëve i ka parë redaksia.
Një ditë më pas, më 30 janar, në orët e mëngjesit, janë nisur edhe dy kombi tjerë me fletëvotime nga KQZ-ja për në diasporë. As kësaj radhe pakot me fletëvotime nuk janë përcjell nga policia dhe zyrtarët e KQZ-së.
Gjithashtu, gazeta i ka emrat e zyrtarëve të MPJD-së, të cilët e kanë përcjell dërgesën e dytë të fletëvotimeve në diasporë.
Këto veprime KQZ-ja i ka bërë në kundërshtim me rregullat që i ka miratuar vet.
Lënie e këtyre fletëvotimeve në duart të zyrtarëve të MPJD-së, të cilët nuk janë kompetente për këtë gjë, ka nxitur shqetësime për cenimit të sigurisë së procesit zgjedhor në diasporë.
Çka thotë Plani Operacional i Sigurisë?
Plani Operacional i Sigurisë për zgjedhjet e 9 shkurtit, të cilin e ka parë gazeta Nacionale, jep detaje se si duhet të transportohen fletëvotimet në diasporë.
Në pjesën e planit ku flitet për përgjegjësitë në menaxhimin e sigurisë në procesin zgjedhor, thuhet se institucioni kryesor për menaxhimin dhe garantimin e sigurisë gjatë procesit zgjedhor është Policia e Kosovës, e cila do të koordinojë ngushtë veprimet e saj me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas planit, Policia e Kosovës do të zbatojë masa parandaluese dhe operacione specifike për të mbrojtur të gjitha fazat e këtij procesi.
Aty thuhet se të gjitha planifikimet, koordinimet dhe mbikëqyrjet e aspekteve operative do të bëhen dhe përcaktohen në nivelin qendror, ndërmjet KQZ dhe PK-së.
Në pikën 3.2 dhe 3. 3, tregohet se çka ofron policia e Kosovës në këtë proces.
“3.2. Siguria dhe përcjellja e materialit të ndjeshëm zgjedhor gjatë transportimit: Mbikëqyrja dhe siguria e materialeve të ndjeshme zgjedhore (fletëvotimeve, kamerave dhe materialeve të tjera të ndjeshme të zgjedhjeve) gjatë gjithë kohës së qëndrimit dhe transportimit; 3.3. Siguria dhe përcjellja e materialit të ndjeshëm zgjedhor gjatë transportimit të pakove të fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës: Ofrimi i sigurisë dhe transportit të materialeve të ndjeshme zgjedhore (fletëvotimeve dhe materialeve të tjera të ndjeshme që vijnë nga jashtë vendi në KQZ) gjatë gjithë kohës së qëndrimit dhe transportimit”, thuhet në plan.
![](https://nacionale.com/uploads/Plani-me-llogo.png)
![](https://nacionale.com/uploads/Plani-me-llogo.png)
Shqetësimet për cenim të besueshmërisë
Shqetësime për transportimin e fletëvotimeve në diasporë i ka shprehur edhe anëtari i AAK-së në KQZ, Ibrahim Selmanaj.
Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ai ka shprehur shqetësimet e vëzhguesve të AAK-së në këtë proces.
“Meqenëse janë përcjell në dy shtete, në Cyrih dhe Shtudgart, në dy postat. Një vërejte që është përcjell prej vëzhguesve të Aleancës kanë shprehur dyshimet e tyre rreth transportit. Në një far forme, po rrezikohet besueshmëria e këtij procesi. Jam i obliguar me thanë atë që e kanë parë dhe e kanë vërejtur. Nuk janë të kënaqur me formën e trapsportimit, nuk ka ndonjë dyshim te postat, te tubimi i zarfeve dhe tubimi i fletëvotimeve, por forma e trasportimit nuk është ajo forma që te jep besueshmëri”, ka thënë Selmanaj.
Ndaj shqetësimeve të Selmanajt, ka reaguar u.d. Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala.
“Lidhur me transportimin e materialeve ose zarfeve me fletëvotimeve, transporti është siguruar me Ministrinë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Këto mjete transporti që janë të didikuara për dalje në terren dhe jashtë Kosovës janë mjete që transportojnë edhe materiale tjera të ndjeshme siç janë pasaportat, e tjera. Aq më shumë ku pas arritjes në Cyrih dhe Shtutgart ky mjet transportues është përcjell prej veturave të shërbimeve diplomatike të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.