Agjencia Qendrore e Privatizimit ka realizuar një tender me vlerë prej 1. milionë eurosh për likuidimin e aseteve të AKP-së, vetëm pak ditë para përfundimit të mandatit të Qeverisë. Ky proces mund të shihet më dyshim mbi urgjencën dhe mënyrën e menaxhimit të fondeve publike në një moment të tillë tranzicioni politik, shkruan Demokracia.com.
“Angazhimi i Ofruesit të Shërbimeve Profesionale (OShP) për procesin e likuidimit të Ndërmarrjeve Shoqërore/Aseteve nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP)”. Kështu quhet kontrata për të cilën AKP ka njoftuar se do të lidhët kontratë më grupin e kompanive Grant Thornton L.L.C., Curtis, Mallet-Prevost, Colt & Mosle LLP dhe Grant Thornton Consulting Doo, Skopje.
Kontrata do të jetë 1.8 milionë euro për një periudhë trevjeçare. Ky tender, megjithatë, ngre pyetje mbi transparencën dhe efikasitetin e menaxhimit të fondeve publike, duke marrë parasysh që ai po zhvillohet në një periudhë kritike, kur Qeveria e Kosovës ka mandat vetëm deri të dielën për të përfunduar disa reforma dhe projekte të rëndësishme.
Një tjetër shqetësim është procesi i likuidimit i 536 rasteve që parashikohet të përfundojnë gjatë periudhës së kontratës. Ky është një numër i konsiderueshëm dhe në një periudhë të shkurtër, që do të kërkojë angazhim të konsiderueshëm dhe sigurisht një mbikëqyrje të rreptë nga autoritetet përkatëse. Dështimi për të siguruar transparencën në këtë proces mund të rezultojë në humbje të mëtejshme të fondeve dhe mund të dëmtojë procesin e shëndetshëm të likuidimit dhe privatizimit të aseteve shtetërore. Me gjithë angazhimin e AKP-së për të finalizuar këtë proces, shumë prej këtyre ndërmarrjeve shoqërore kanë mbetur të shenjëzuara nga periudha e gjatë e privatizimit dhe përpjekjet e paefektshme për likuidimin e pasurive të tyre.
Përveç kësaj, pas kryerjes së procesit të likuidimit, fondet e tepricës dhe ato të mbetura do të kalojnë në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës.
“Qëllimi i kontraktimit të Ofruesit të Shërbimeve Profesionale (OShP), është të likuidoj të gjitha NSh-të/Asetet në administrimin e AKP-së (kjo kontratë nuk i përfshin NSh-të/Asetet të cilat do të likuidohen nga AKP-ja dhe asetet e Njësive te Trepçës). Si pjesë e procesit të likuidimit, OShP do të jetë i angazhuar që të përmbyllen rastet e likuidimit dhe me këtë të mundësohet shpërndarja e fondeve tek kreditorët e ligjshëm, ndërsa “Fondet Tepricë”, “Fondet e Mbetura” dhe “Fondet e Përkohshme” nga likuidimi do të barten në Fondin e Konsoliduar të Republikës së Kosovës. Qëllimi i kësaj kontrate është që të përmbyllë 536 likuidimet tanimë të filluara për të cilat do të jetë përgjegjës OShP si dhe të ndërmarrë veprimet e duhura për përmbylljen e tërë procesit të likuidimit të NSh-ve/Aseteve si dhe të përfundoj tërë procesin e likuidimit edhe për të gjitha NSh/Asetet e mbetura (afërsisht 20 ) si dhe për ato që do të identifikohen gjatë procesit dhe do të kenë të konfirmuar nga Bordi përcaktimin e statusit të tyre si NSh/KB apo Asete. AKP i ka të emëruara Autoritetet e Likuidimit për 23 NSh të cilat nuk janë nën përgjegjësinë e OShP-së’, thuhet në dosje të tenderit.
Të gjitha këto shqetësime bëhen edhe më të rëndësishme kur marrim parasysh se periudha e mandatit të Qeverisë është duke u përmbyllur dhe pas kësaj, mund të ketë një pasiguri në vazhdimësinë e administratës dhe ndjekjen e projekteve të tilla. Qeveria ka mandat deri të dielën për të përmbyllur një sërë angazhimesh të rëndësishme.
Agjencia Kosovare e Privatizimit funksionon si një organ i pavarur publik. Megjithatë, Qeveria e Kosovës, përmes strategjisë së saj për privatizim, ka pasur një rol të rëndësishëm në përcaktimin e drejtimit dhe politikave që kanë ndikuar në procesin e administrimit dhe shitjes së aseteve publike. /Demokracia.com/