Seanca për buxhetin dështon sërish, ndërsa kryetari Alban Hyseni e “harxhon” energjinë në fushatë

Në mbledhjen urgjente të Kuvendit Komunal të Gjilanit, të thirrur nga kryetari Alban Hyseni, për miratimin e buxhetit për vitin 2025, këshilltarët e opozitës nuk morën pjesë. Në sallë ishin vetëm 10 këshilltarë. Kjo është tentativa e dytë dështuar brenda një jave për miratimin e buxhetit, duke bërë Gjilanin komunën e vetme pa buxhet të miratuar ende, shkruan Demokracia.com.

Kuvendi Komunal i Gjilanit nuk mundi të nisë seancën urgjente pasi nuk pati kuorum me vetëm 10 këshilltarë të pranishëm. Kryetari i Kuvendit, Kushtrim Kadriu, konfirmoi mungesën e kuorumit.

Emergjenca e Hysenit po shfaqet vetëm para kamerave, ndërkohë që ai nuk po bën asnjë hap për të afruar partitë opozitare dhe për të dëgjuar kërkesat e tyre, meqë nuk i ka votat në asamble. Se ai nuk po e çan kokën shumë për këtë punë tregon edhe fakti që të gjithë energjinë e tij gjatë javëve të fundit e ka drejtuar në propagandë për fushatën e Vetëvendosjes, ani pse ka obligime si kryetar.

Herën e fundit është parë dje në fushatë, ndërkohë që Komuna rrezikon të shkojë në zgjedhje nëse nuk miratohet buxheti deri më 31 Mars 2025. /Demokracia.com/