Shala, Januzi dhe Bahtijari pranuan fajësinë e u dënuan, Haradinaj: Populli vendos – heronj apo dështakë?

Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë kanë shpallur fajtorë Haxhi Shalën, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin për pengim të drejtësisë, duke pranuar marrëveshjen e fajësisë të arritur mes të akuzuarve dhe Prokurorisë së Specializuar.

Shala është dënuar me tre vjet burgim, ndërsa Bahtijari dhe Januzi me nga dy vjet secili. Gjykata bëri të ditur se koha e qëndrimit në paraburgim do të llogaritet në dënim.

Në lidhje me këtë ka reaguar në Debat Plus ish-nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Haradinaj kritikoi marrëveshjen e fajësisë, duke thënë se ajo dëmton procesin në rastin Thaçi dhe të tjerët dhe forcon pozicionin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Haradinaj se do të jetë vendimi i publikut nëse të dënuarit do të perceptohen si heronj apo dështakë.

Sipas tij, marrëveshja nuk ka sjellë ndonjë përfitim të madh për të akuzuarit, veçse mund të ketë ulur dënimin me rreth një vit.

“Kështu që momentin që pranon me prokurorinë më bë marrëveshje do të thotë që je penduar për atë që kë bërë dhe kërkon falje. Kështu në një farë mënyrë merr një masë lehtësuese, pa marrë parasysh se qysh rëndohet pala tjetër. E kanë pranuar një marrëveshje, dhe ajo gjithmonë ky fiton dhe pala tjetër (Thaçi dhe të tjerët) dëmtohet. Në këtë rast prokuroria ka dal fituese. Do të shohim se si do pret dhe çka do të përdorë prokuroria. Dhe cilin ka pas qëllim prokuroria. Çka nëse asgjë asgjë s’ka bërë, ka bërë dëm se prokurorinë e ka arsyetuar me thënë ne kemi pas arsye me bë gjykatën e në Hagë dhe mos me bë në Kosovë. Ka qenë e kundërta e atyre që kemi dëshmuar. Ta shohim populli qysh po i pet, a po i pret si heronj apo si dështak. Është çështje e njerëzve tanë. Këtu mendoj që është një dobësim i panevojshëm, kur nuk kanë përfituar ndonjë sen. Kanë përfituar maksimum një vit”, ka thënë Haradinaj në Debat Plus. /Dukagjini/