Komuna e Prishtinës ka vendosur t’i jap kamionë shtesë ndërmarrjes “Pastrimi” për menaxhimin e situatës emergjente me mbeturinat. Por, drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci thotë se javën tjetër do të iniciojnë procedurë të përshpejtuar për të zgjedhur edhe operator privat për mbeturinat.
Janë kontejnerët e vendosur në lagjen “Emshiri”, njëra ndër lagjet më me frekuentim të kryeqytetit.
Por të njëjtit janë stërmbushur me mbeturinat e madje, të njëjtat kanë deportuar deri në kanalin mbrapa tyre.
Banorë që nuk deshën të prononcohen para kamerave thonë se nuk mbajnë mend kur të njëjtit janë pastruar.
Jo më ndryshe janë edhe pika të tjera në kryeqytet pas situatës të së cilës, Komuna e Prishtinës ka shpallur gjendje emergjente. E për të ndihmuar në sanimin e gjendjes, komuna nga nesër do t’i jap kamionë shtesë ndërmarrjes “Pastrimi”.
“Ndërmarrja “Pastrimi” ka arritur t’i regjistrojë kamionët që ia kemi dhuruar si komunë. Ne sipas të gjitha gjasave nesër ua dorëzojmë çelësat dhe do kenë mundësi t’i vënë në operim. Jemi në pritje të një konstatimi se kur do jetë në gjendje të pajisë lokacionet me kontejnerë të rinj sepse prej fund nëntorit i kemi 2500 në pritje për tu shpërndarë. Nëse do kenë probleme, ne do gjejmë formë tjetër për t’i pajisur lokacionet me kontejnerë të rinj. Përpos kamionëve që ja kemi dhuru, kamionët që i ka në përdorim janë skajshmërisht të dëmtuar dhe të papërshtatshëm për operim. Kam has vet në terren kur i vendosnin gurë për të mos lëvizur nga vendi. Mekanizmin e zbrasjes e kanë të dëmtuar, e kanë dëmtuar edhe vet kontejnerët e rinj”, ka thënë drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Bekim Brestovci.
Ka kohë që komuna përmend angazhimin e operatorëve privat e me situatën në duar, e njëjta ka vendosur të përshpejtojë procedurën.
“Javën tjetër do iniciojmë procedurë të përshpejtuar për përzgjedhjen e një ose dy operatori ekonomik varësisht prej konstatimeve të ditëve në vijim. Këtë duhet ta bëjmë patjetër marrë parasysh se përpos dëmtimit të imazhit, kemi rrezik edhe për përhapjen e një epidemie”, ka shtuar Brestovci.
Gjatës ditës, kryetari Përparim Rama ka bërë të ditur se kamionë shtesë i janë dhuruar kryeqytetit nga Parlamenti i Cyrihut.