Marrëveshja, ndër të tjera, mund të lejojë Ankaranë të krijojë baza të reja ajrore në Siri dhe të përdorë hapësirën ajrore siriane për qëllime ushtarake
Presidenti kalimtar sirian Ahmed al-Sharaa dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan pritet të diskutojnë të martën në Ankara një “pakt të përbashkët të mbrojtjes”.
Kjo, duke përfshirë krijimin e bazave ajrore turke në Sirinë qendrore dhe trajnimin ushtarak të ushtrisë së re siriane.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia britanike Reuters, duke cituar katër burime të informuara.
Anëtar i NATO-s, Turqia ka mbështetur prej kohësh opozitën e armatosur dhe politike të Sirisë ndaj liderit të rrëzuar Bashar al-Assad, i cili u rrëzua në fund të dhjetorit në një ofensivë të rrufeshme të udhëhequr nga forcat e Haj’at Tahrir al-Sham (HTS).
Ankaraja po pozicionohet për të luajtur një rol të madh në Sirinë e re, duke mbushur boshllëkun e lënë nga Irani, mbështetësi kryesor rajonal i Assad-it, në një zgjerim të ndikimit turk që mund të ndezë rivalitetin me shtetet arabe të Gjirit.
Burimet e kontaktuara – një zyrtar sirian i sigurisë, dy burime të huaja të sigurisë me bazë në Damask dhe një zyrtar i lartë rajonal i inteligjencës – folën në kushte anonimiteti.
Kjo është hera e parë që zbulohen elementë të një marrëveshjeje strategjike të mbrojtjes të përfunduar nga udhëheqësit e rinj të Sirisë, duke përfshirë detaje të bazave shtesë turke.
Sipas burimeve të lartpërmendura, pakti mund të lejojë Turqinë “të krijojë baza të reja ajrore në Siri, të përdorë hapësirën ajrore siriane për qëllime ushtarake dhe të luajë një rol udhëheqës në trajnimin e trupave për ushtrinë e re siriane”.
Udhëheqësit e rinj të Sirisë kanë shpërndarë ushtrinë dhe fraksione të ndryshme rebele dhe po punojnë për t’i integruar ato në një komandë të re ushtarake.
Bazat ajrore turke në Siri
Zyrtari rajonal i inteligjencës, zyrtari sirian i sigurisë dhe një nga burimet e huaja të sigurisë me bazë në Damask thanë se bisedimet do të përfshijnë “krijimin e dy bazave turke në rajonin e gjerë të shkretëtirës qendrore të Sirisë”, të njohur si Badiya.
Një zyrtar i presidencës siriane tha se al-Sharaa do të diskutojë me Erdogan “trajnimin e ushtrisë së re siriane nga Turqia, si dhe fusha të reja të vendosjes dhe bashkëpunimit”, pa specifikuar vendndodhjet e dislokimit.
Drejtori i komunikimit i Presidencës turke, Fahrettin Altun, deklaroi të hënën se Erdogan dhe al-Sharaa do të diskutojnë zhvillimet e fundit në Siri dhe masat e mundshme të përbashkëta për të rindërtuar ekonominë siriane dhe për të arritur stabilitetin dhe sigurinë.
Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes turke, i njohur me diskutimet midis dy ministrive tha se ai nuk kishte informacion mbi bazat turke në Siri, as për trajnimin e trupave siriane si pjesë e një pakti të mundshëm të mbrojtjes.
Një rol turk në mbrojtjen ajrore
Disa nga burimet shtuan se bazat në diskutim do të lejojnë Turqinë “të mbrojë hapësirën ajrore të Sirisë në rast të sulmeve të ardhshme”.
Mbështetësi tjetër kryesor i Assad-it, Rusia, është gjithashtu në bisedime me administratën e re në Damask për fatin e dy bazave të saj ushtarake në Siri: një bazë detare në Tartus dhe një bazë ajrore pranë qytetit port të Latakia-s, deklaroi Kremlin-i më herët.
Në një intervistë në janar, ministri sirian i Mbrojtjes Murhaf Abu Qasra argumentoi se liderët e rinj të vendit do të përpiqeshin të vendosnin lidhje të forta në rajon, “dhe se nëpërmjet këtyre lidhjeve ne do të jemi në gjendje të ndërtojmë forcën tonë ushtarake”.
Nëse këto lidhje çojnë në një partneritet “përsa i përket armatimeve, stërvitjes, mbrojtjes ajrore apo çështjeve të tjera, ne do ta mirëpresim atë”, tha Abou Qasra, pa përmendur Turqinë.
Zyrtari rajonal i inteligjencës i intervistuar tha se bazat e mundshme ajrore ishin aeroporti ushtarak i Palmira-s dhe baza T4 e ushtrisë siriane, të dyja vendndodhje në provincën Homs.
Mesazh për luftëtarët kurdë
I njëjti burim tha se Ankaraja dëshiron të krijojë baza në atë rajon për t’u dërguar një mesazh luftëtarëve kurdë në Sirinë verilindore, të njohur si Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG).
Ankaraja i sheh ato si një zgjatim i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila ka udhëhequr një kryengritje kundër shtetit turk që nga viti 1984 dhe konsiderohet një grup terrorist nga Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.
Turqia ka kërcënuar se do të nisë një ofensivë ushtarake kundër YPG-së, por është përmbajtur nga një gjë e tillë për shkak të bisedimeve të vazhdueshme mbi fatin e forcave kurde.
Zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes turke tha se delegacionet ushtarake turke dhe siriane shkëmbyen mendime javën e kaluar mbi “çfarë mund të bëhet në aspektin e mbrojtjes dhe sigurisë, veçanërisht në luftën e përbashkët kundër organizatave terroriste që paraqesin një kërcënim për Sirinë dhe Turqinë”.
“Takimet tona do të vazhdojnë në kuadër të nevojave që do të lindin në periudhën e ardhshme”, shtoi zyrtari.
Ministri turk i Mbrojtjes Yasar Guler tha në dhjetor se Turqia ishte “e gatshme të ofrojë mbështetjen e nevojshme nëse administrata e re siriane e kërkon atë”.
Ankaraja mund të diskutojë dhe të rivlerësojë çështjen e pranisë ushtarake turke në Siri me administratën e re siriane “kur të krijohen kushtet e nevojshme”, u shpreh asokohe Guler.
Marrë dhe përshtatur nga L’Orient-Le Jour për Albanian Post