Reuters: Armët ilegale lulëzojnë në Ballkan

Vesna Pejovic u zotua personalisht të angazhohej kundër dhunës me armë në Mal të Zi pasi vajza dhe dy nipërit e saj humbën jetën nga të shtënat me armë në qytetin e Cetinjes në vitin 2022.

63 vjeçarja ka tre vite ka lobuar te politikanët që të vendosin kontrolle më të rrepta të armëve në vendin e vogël ballkanik.

“Legjislacioni duhet të përfshijë kontrolle më rigoroze të shëndetit mendor të individëve që posedojnë armë të ligjshme. Përfshirja e kujdesit shëndetësor, i cili nuk është bërë më parë në Mal të Zi, kërkon që çdo ekspert, një mjek i caktuar, të rishikojë historinë mjekësore të pacientit kur një individ aplikon për një leje për armë zjarri duke siguruar një vlerësim të plotë shëndetësor. Rrjedhimisht, armët e zjarrit të paligjshme nuk duhet të mbahen dhe kushdo që gjendet në shkelje duhet të përballet me ndëshkime të rrepta, në vend që të marrë lehtësim për shkak të lidhjeve personale. E tillë është situata aktuale në Mal të Zi. Të blesh një armë zjarri këtu është njësoj si të blesh bukë në një dyqan.”, tha Vesna Pejoviç.

Më pas, më 1 Janar lajmi për të shtënat me armë ku një person i armatosur vrau 12 persona përfshirë dy fëmijë dhe më pas qëlloi veten rriti pesimizmin tek Vesna Pejovic.

Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajiç njoftoi masa më të rrepta të kontrollit të armëve pas të shtënave me armë. Autoritet malazeze u kanë dhënë pronarëve të armëve pa leje edhe dy muaj kohë për t’i dorëzuar ato vullnetarisht.

Por ndikimi i masave të mëparshme të kontrollit të armëve në Ballkanin Perëndimor nxjerr në pah se sa e vështirë është të çrrënjoset dhuna në një rajon të mbushur me miliona armë zjarri të mbetura nga konfliktet rajonale dhe ku kultura e posedimit të armëve daton ndër shekuj.

“Duket se ekziston një traditë, le të themi, në Mal të Zi që nuk ka shtëpi në Mal të Zi që të mos ketë armë. Po, është e vërtetë që ka një gjenezë shumë të gjatë, ka rrënjë të thella në traditën malazeze”, tha Vukota Vukotiç.

“Mali i Zi, së bashku me disa rajone të tjera evropiane si pjesë të Shqipërisë dhe Siçilisë, karakterizohet nga fenomene të dallueshme kulturore të njohura si kultura e nderit. Kultura e nderit është tipike për ato mjedise ku institucionet nuk ishin të pranishme ose ishin shumë më të reja, ku individët i zgjidhin konfliktet në bazë të një kodi të rreptë, le të themi një kod etik. Nëse nuk keni gjyqësor, nëse nuk keni polici, atëherë keni një kod nderi”, tha Radona Çeroviç.

Edhe kur qeveritë miratojnë ligje më të rrepta, ndonjëherë nuk ekziston vullneti  për të zbatuar legjislacionin, thonë ekspertët, pjesërisht për shkak se tregtia e armëve drejtohet nga banda të fuqishme kriminale.

Shpërbërja e Jugosllavisë në vitet 1990 shkaktoi një seri konfliktesh të përgjakshme etnike që lanë 6 milionë armë zjarri në Ballkanin Perëndimor, një rajon që përfshin Malin e Zi, Serbinë, Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Të dhënat e fundit nga Small Arms Survey, një projekt me bazë në Zvicër, tregojnë se vetëm rreth gjysma e tyre janë mbledhur ose shkatërruar.

Deri më 27 Janar, tre javë pas kërkesës së kryeministrit Spajiç për dorëzimin e armëve të paligjshme, malazezët kishin dorëzuar 1,535 armë.

Kjo pasoi një lëvizje të ngjashme në Serbi në vitin 2023, në të cilën, sipas policisë, civilët dorëzuan 82,000 armë, mbi 4 milionë fishekë dhe rreth 26,000 lëndë shpërthyese, pas dy të shtënave masive. Ekspertët përgëzojnë këto përpjekje, por statistikat ngrenë dyshime për suksesin e tyre.

Në Mal të Zi, deri në 100,000 armë të paligjshme vlerësohet se janë ende në qarkullim, sipas Djordjije Vukicevic, nënkryetar i Sindikatës së Pavarur të Policisë së Malit të Zi.

Shkalla e vdekjeve nga krimet me armë në Ballkanin Perëndimor është të paktën 30% më e lartë se ajo në vendet më të mëdha të BE-së, sipas të dhënave nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin.

Tregu i zi i armëve ballkanike ndikon edhe në rajone të tjera. Armët ballkanike shpesh kërkohen në të gjithë botën sepse janë më të lira.