Tragjedia në Jabllanicë të Gjakovës, ekspertët bëjnë thirrje për identifikimin dhe rrënimin e objekteve me rrezikshmëri të lartë

Mijëra qytetarë nga i gjithë vendi morën pjesë dje në varrimin e tre të miturve që humbën jetën si pasojë e shembjes së një objekti të pabanuar në fshatin Jabllanicë të Gjakovës.

Fëmijët e moshave 13 dhe 16-vjeç ishin brenda objektit kur pllaka u shemb.

Trupat e viktimave ishin gjetur pas gati gjashtë orëve.

Derisa tri viktimat e tragjedisë në Jabllanicë u varrosen këtë të hënë, më 03.02.2025, gërmadhat e objektit vazhdonin të ishin në vendin e ngjarjes edhe dy ditë pas tragjedisë.

Objekti tashmë i shembur është pronë private dhe para luftës shërbente si shitore e lagjes, teksa që nga viti 1999 nuk ka qenë asnjëherë funksional.

Ndonëse Komuna e Gjakovës ka një kompani të kontraktuar që bën rrënimin e objekteve me rrezikshmëri të lartë, pronari i objektit ku ndodhi tragjedia sipas Komunës nuk ka kërkuar që ky objekt të rrënohet.

“Deri më tani nuk kemi shumë informata. Por, objekti ka qenë privat dhe në pronë private, si i tillë ne nuk kemi pasur kompetenca. Ne kemi një komision vlerësues i cili bën konstatimin se cili objekt duhet të rrënohet dhe një kompani që bën rrënimin. Por, kur kemi prona private, objekte private, fillimisht duhet të bëhet kërkesa. Në rastin konkret Komuna nuk ka pasur asnjë kërkesë për rrënimin e objektit, andaj nuk kemi pasur mundësi të reagojmë”- tha zëdhënësi i Komunës së Gjakovës, Artan Haraqija.

Ndonëse Komuna e Gjakovës nuk e ka një shifër të përafërt të objekteve sikurse ky në Jabllanicë, kryetari i Odës së Inxhinierëve të Kosovës, Arsim Rapuca, beson se numri i ndërtesave me potencial rreziku për shembje në nivel vendi është i lartë.

“Ka besoj që një numër të madh, këtë mund ta vërejë çdokush, edhe qytetarët e shohin, sidomos nëpër fshatra. Ka edhe prej atyre që janë djegur para luftës dhe kanë mbetur ashtu gjysmë të rrënuara” – tha Rapuca për KALLXO.com.

Sipas Arsim Rapucës duhet të ndërmerren hapa konkretë në parandalimin e tragjedive të tilla.

“Kisha rekomanduar që të gjitha komunat me e kriju një komision të përbërë nga ekspertë dhe inxhinierë të ndërtimit dhe me dalë në terren në të gjitha qytetet, fshatrat, me e ba inspektimin e objekteve të vjetra, sidomos këtyre që nuk janë të banueshme dhe janë ndërtuar vite më parë, pra para luftës ku edhe materiali i ndërtimin ka qenë më i dobët. Këto objekte duhet të identifikohen dhe duhet të kërkohet nga pronari që të rrënohet, nëse ai nuk e bën atëherë duhet ta rrënojë komuna” – tha ai.