Nga premtimi për drejtësi te heshtja para skandalit: Albin Kurti dhe zinxhiri i korrupsionit që tronditi Kosovën.
Lirim Mehmetaj, ish-kryeredaktor i Albanian Post, e dinte mirë rrezikun që e priste kur filloi të botojë skandalet e korrupsionit që përfshinin zyrtarët më të lartë të qeverisë Kurti.
Ai kishte kaluar muaj të tërë duke takuar burimin e tij – një njeri që kishte parë gjithçka nga afër dhe që, i lodhur nga heshtja dhe mosndëshkimi, vendosi të fliste.
Kur u publikua shkrimi i parë, “Dallaveret e Nagip Krasniqit: Si ia dha kundërligjshëm tenderin mbi 630 mijë euro kompanisë greke”, reagimet ishin të menjëhershme – dhe të egra. Artikulli tjetër, “Dallaveret e Nagip Krasniqit: I siguroi kundërligjshëm kompanisë greke tender prej 1 milion e 600 mijë eurove”, ishte goditja që tronditi Vetëvendosjen dhe publikun.
Por, në atë kohë, shumë pak veta besonin.
Çeta e tastierave të Vetëvendosjes, siç quhet tashmë, u hodh në sulm. Ai u sulmua personalisht, u linçua publikisht dhe u quajt një “vegël e opozitës” që përhapte gënjeshtra. Ishte një fushatë e qëllimshme për të delegjitimuar jo vetëm Mehmetajn, por edhe gazetarinë investigative që ai përfaqësonte.
Kishte konkurruar për shpërblimin vjetor në gazetari për dy tema që kapnin majën e korrupsionit.
Ky është shpërblimi refuzues nga një asociacion që vetë e kisha krijuar, i thash Lirimit, kur e pyeta pse këto hulumtime të nivelit të shkrimit më të mirë, nuk kishin marrë asnjë çmim nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Përgjigjja ishte se skepticizmi i vakët dhe pa shije i AGK u zëvendësua nga një realitet i pamohueshëm kur dokumentet dhe mesazhet e publikuara zbuluan një zinxhir korrupsioni që çonte deri në majën e pushtetit – te Kryeministri Albin Kurti.
Në dokumentet e siguruara dhe të publikuara nga Mehmetaj, dje dhe sot, mesazhet nga një grup i organizuar në WhatsApp zbuluan një skemë të mirëkoordinuar të ndarjes së tenderëve shumëmilionësh.
Në grup ishin emra të njohur si Nagip Krasniqi, Besnik Bislimi, Artane Rizvanolli dhe të tjerë. Nga manipulimi i specifikimeve teknike deri tek dhënia e kontratave pa konkurrencë, çdo hap i tyre ishte planifikuar me kujdes.
Një nga mesazhet më tronditëse përmendte se një vonesë prej vetëm 60 ditësh mund t’i kushtonte shtetit 20 milionë euro shtesë, por tenderi u dha gjithsesi pa garë, me kritere të personalizuara për një kompani specifike.
Shkrimet e Albanian Post kishin dokumentuar tashmë favorizimin e kompanive të caktuara nga Nagip Krasniqi dhe dhënien e tenderëve në mënyrë të paligjshme, duke përfshirë një prej mbi 1.6 milionë euro.
Tani, me daljen në dritë të këtyre komunikimeve, fakti që ky korrupsion shtrihej deri në majën e qeverisë u bë i qartë. Provat e dorëzuara në Prokurorinë Speciale tregonin një sistem të ndërtuar mbi heshtjen, manipulimin dhe shfrytëzimin e resurseve publike për përfitime private.
Në mes të kësaj furtune, Kryeministri Albin Kurti refuzoi të paraqitej si dëshmitar në Prokurorinë Speciale.
Ky refuzim ngre pyetje serioze për përgjegjësinë e tij politike dhe integritetin e qeverisë që drejton.
Refuzimi për të dëshmuar në Prokurori tregon qartë pse kryeministri Kurti nuk shkon të kryejë obligimin e tij.
Si mund të kërkosh besimin e popullit kur shmang përballjen me një të vërtetë që përfshin njerëzit e afërt të administratës tënde? Për shumëkënd, refuzimi i Kurtit është një tregues i mungesës së vullnetit për t’u përballur me realitetin dhe një goditje për imazhin e tij si lider i ndershmërisë.
Pyetja që rri pa përgjigje ka të bëjë me Kurtin.
Kur ai të përballet me mesazhet që dëshmojnë korrupsionin deri në rrënjë, çfarë do të thotë? A do të pranojë përgjegjësinë morale për një sistem që ai ka premtuar ta pastrojë, apo do të vazhdojë të heshtë?
Për një njeri që ndërtoi karrierën mbi betimin për ndershmëri dhe luftën ndaj korrupsionit, ky ballafaqim nuk është vetëm një sfidë ligjore, por një test i karakterit të tij politik, moral dhe njerëzor. Sepse në diskursin e tij pa ide qeverisjeje vetëm morali ishte pjesë e rrëfimit të tij.
Pa moralin ai është cullak.
Kjo histori e qeverisjes nuk është vetëm për tenderat dhe manipulimet; është një pasqyrë e dështimit të një sistemi për të mbajtur pushtetarët të përgjegjshëm. Korrupsioni nuk është thjesht një shkelje ligji – është një tradhti ndaj qytetarëve që kanë shpresuar për një të ardhme më të mirë.
Kur Albini dhe katër të tjerët në listë harrojnë përgjegjësinë që mbajnë, demokracia shndërrohet në një farsë të hidhur. Ashtu siç duket fytyra e Besnik Bislimit sa herë del para kamerave.
Gënjeshtar pa moral.
Në fund, qytetarët presin një përgjigje të thjeshtë: çfarë do të thotë Albin Kurti përpara qytetarëve që i besuan vizionin e tij? Heshtja nuk është më një opsion. E vërteta tashmë është në dritë. Dhe bashkë me të, përgjegjësia.
Dokumenti i Prokurorisë Speciale, i nënshkruar nga Ymer Dragusha, përmban pranimin e fajësisë për keqpërdorimin e pozitës zyrtare. Kjo nuk ishte thjesht një çështje individuale; ishte një pranim që ngrinte peshë mbi të gjithë zinxhirin e vendimmarrjes deri në majën e piramidës së pushtetit. Por, pavarësisht kësaj, duket se struktura mbetet e paprekur dhe e fuqishme.
Në këtë skemë të kalbur, gjithçka u mbështet mbi një fakt të thjeshtë: korrupsioni u bë mënyrë jetese.
Diskutimet në grupin WhatsApp ishin aq të zakonshme dhe të hapura, saqë dukej se askush nuk shqetësohej për pasojat. Ishte një reflektim i qartë i kulturës së pandëshkueshmërisë. /BatonHaxhiu/