PDK: Qytetarët duan punë dhe rezultate, s’jemi këtu për të premtuar por realizuar – rezultati i 9 shkurtit do të jetë i fuqishëm

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci ka njoftuar se deri më tani PDK ka zhvilluar mbi 2 mijë takime anë e kënd Kosovës, ku është mirëpritur nga qytetarët.

Stavileci në një konferencë për media tha se në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje e secilin takim, vërehet një bashkim qytetar për një Kosovë ma të mirë.

“Qytetarët duan punë dhe rezultate. Zotime të qëndrueshme dhe vepra konkrete.Ata e dinë kush është Bedri Hamza. Fjala e tij për ta ka peshë, sepse çdo premtim që ai bën është një angazhim që e çon deri në fund. Është një garanci ligjore dhe morale. E kanë parë në punë, e kanë parë të ndërtojë, të zhvillojë, të transformojë. Prandaj, qytetarët sot po e mbështesin fuqishëm vizionin për një Kosovë ma të mirë”, theksoi ai.

Sipas Stavilecit, numrat e PDK-së po rriten çdo ditë si rezultat i mobilizimit për rikthimin e madh.

“Ky është rezultati i një ekipi të jashtëzakonshëm i Kryetarit Memli Krasniqi, i Kryesisë, i kandidatëve tanë për deputetë dhe mbi të gjitha, i kandidatit tonë për Kryeministër, Bedri Hamza, një njeri që e mban fjalën dhe që punët i çon deri në fund”, theksoi ai.

Stavileci tha se Kosova ka nevojë për ekonomi të fortë, për arsimim ma të mirë, për shëndetësi ma të mirë, për siguri e për drejtësi, për institucione që punojnë për qytetarët dhe PDK do ta bëj këtë vizion realitet.

“Në këtë frymë, kemi një mesazh të qartë për qytetarët e Kosovës: Nuk jemi këtu për të përçarë, por për të bashkuar! Nuk jemi këtu për të premtuar, por për të realizuar! Nuk jemi këtu për një fitore të thjeshtë, por për një të ardhme ma të mirë për Kosovën!”, shtoi ai.

Stavileci tha se 9 shkurti nuk është dita e një vendimi historik mes stagnimit e zhvillimit, mes fjalëve të thata e rezultateve konkrete, mes frikës e shpresës.

“9 shkurti do të flasë ashtu siç po flasin mendjet dhe zemrat e qytetarëve që duan Ma Mirë. Dhe ai rezultat do të jetë i madh, i fuqishëm dhe i pamohueshëm. Ky rezultat do të jetë fillimi i një epoke të re – për një Kosovë ma të fortë, ma të bashkuar dhe ma të zhvilluar! Për një Kosovë që mundet dhe do të bëjë Ma Mirë me Bedri Hamzën Kryeministër!”, përfundoi Stavileci.