Marrëdhëniet me aleatë ‘mosvet keq’ e për Kurtin ‘mosvet mirë’: Mesazhi që e la Lajçaku një ditë para largimit

  • Marrëdhëniet [i keni] të tensionuara me miqtë dhe partnerët tuaj më të afërt.
  • Duke vazhduar me të njëjtat pozicione nuk i fitoni zemrat dhe mendjet e miqve dhe mbështetësve tuaj.

Këto ishin dy mesazhe thelbësore që diplomati sllovak që ndërmjetësoi për pesë vite procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, dha në intervistën lamtumirëse për gazetën Nacionale.

Vizatoi si me dorë tablon e gjendjes, arritjeve e humbjeve të qeverisë kosovare këto katër vjet në procesin e Brukselit, dhe la mjaftueshëm të kuptohet – ndonëse herë-herë duke mirëmbajtur gjuhën nën skulptin diplomatik – se cilat ishin ‘mundësitë e rëndësishme të humbura’ nga qeveria kosovare.

Lajçak i ra rrugës shpjeguese që dihet: se Kosova duke qenë nën sanksione humbi para të parapara për përmirësimin e jetëve të qytetarëve, vazhdon të humbasë para si pasojë e bllokimit të atyreve paraprake që do të mund të pasoheshin me fonde përcjellëse, humbi procese të rëndësishme integruese evropiane (siç qe rasti i Këshillit të Evropës) dhe organizata tjera – e deri te të qënit i vështruar me mosbesim nga aleatët dhe miqtë e saj kyç ndërkombëtarë.

“Çka mendoj se është më e rëndësishme është të flasim për atë që Kosova mund të përfitojë në të vërtetë nga zbatimi i obligimeve të veta – qoftë financiarisht pasi që kjo jo vetëm do të zhbllokonte fondet e BE-së, por do të çonte në fonde shtesë, përparim në integrimin në BE dhe integrim në organizata të tjera, përmirësim të marrëdhënieve tuaja me partnerët dhe miqtë tuaj më të afërt, të cilat janë tensionuar së fundmi dhe sigurisht, në ringritjen e besimit te qytetarëve tuaj”, tha ai.

Do të thosha se fakti që kemi një lidership të ri të BE-së dhe një Përfaqësues të ri të Posaçëm për Dialogun, duhet parë si një mundësi për Kosovën dhe Serbinë. Por duke vazhduar me të njëjtat pozicione nuk do t’i fitoni zemrat dhe mendjet e miqve dhe mbështetësve tuaj”, tha ai.

Kryetari i qeverisë kosovare, Albin Kurti, vazhdon të shkel mbi çdo fakt të deklaruar se marrëdhëniet me aleatë perëndimorë kanë rënë në nivele të ulëta dhe që ato si të tilla kanë prodhuar konsekuenca.

“Kurrë më të mira marrëdhëniet me ShBA-në se me qeverinë time”.

Kështu tha ai nga Ferizaji gjatë një tubimi zgjedhor: duke ngrerë kontraste të vetëstiluara me qeveritë e kaluara se marrëdhëiet me ShBA-në “ata i përdorni për pushtet…unë për shtet”.

Veç pakëz udhëtim në kohë: një vit.

Në mars të vitit të kaluar ishin artikuluar publikisht se ku qëndronin marrëdhëniet Kosovë-ShBA: kur ish-emisari amerikan për rajon, Gabriel Escobar, pa gjuhë të rafinuar diplomatike pati ngrerë vëmendjen se pse kjo qeveri s’pritet në Uashington.

“Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”.

“Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, pati thënë ai në Radion Evropa e Lirë.

Shefi i këtij të fundit, Jim O’Brien, në një shpërthim të paprecedentë ndaj Kurtit, pati premtuar “reciprokim mospartneriteti” po qe se qeveria kosvoare do të vazhdonte “të mos na trajtojë si partnerë”.

Tashmë në skenë është rikthyer edhe Richard Grenell: një dikush me marrëdhënie thellësisht të lënduara me Albin Kurti.

Në një deklaratë ekskluzove për Nacionale, Grenell na pati thënë marrëdhëniet Kosovë-ShBA janë në krizë: me referent Albin Kurtin.

“Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti, që të gjithë kishin marrëdhënie të shkëlqyeshme me Republikanët dhe Demokratët në Amerikë.

Hera e vetme në 35 vite kur marrëdhëniet Kosovë – ShBA (edhe Kosovë – BE) u bënë partizane dhe në krizë, janë me Albin Kurtin kryeministër”, tha Richard Grenell për Nacionale.

Kurti s’i beson këto…

Mbrëmë nga Ferizaji i flaki tutje tërësisht: kurrë, tha ai, s’kanë qenë marrëdhëniet më të mira se gjatë qeverisjes së tij.

“Kurrë nuk i kemi pasur marrëveshjen me ShBA-të më të mira se sa tash, kurrë s’ka përfituar Kosova nga këto marrëdhënie më shumë se me ne.

Grantin mëtë madh e kem i marrë ne nga MCC, 202 milionë dollarë për bateri akumuluese”, tha Albin Kurti.

“E ata raportet me ShBA i përdornin për pushtet…ne i përdorim për shtet e jo pushtet. Për me ngjit shtetin lart e më lart”, tha ai.