Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë kërkesë ndaj Gjykatës Themelore për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj personit të dyshuar për therje me thikë ndaj një personi tjetër në rrugën “Yll Morina” ditën e djeshme në Gjakovë.
Sulmi kishte bërë që viktima të dërgohet për trajtim mjekësor si pasojë e plagëve të marra nga arma e mprehtë, teksa me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari u ndalua në mbajtje si dhe u inicua rast “vrasje në tentativë”.
Prokuroria ka dhënë arsyetimet për kërkesën e masës së paraburgimit, pasi thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me dashje ka tentuar të privojë nga jeta viktimën.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet E.Th., me datë 01.02.2025 rreth orës 10:25 në Gjakovë Rr.“Yll Morina”, saktësisht në lokalin “E…”, me dashje ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin A.J., në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri në cilësi të pronarit të lokalit derisa ka qenë duke shërbyer klientët, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin, në atë moment në fjalosje e sipër, i pandehuri me mjetë të mprehtë – thikë e sulmon të dëmtuarin duke e goditur disa herë në pjesët vitale të trupit kryesisht rreth stomakut, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara nga goditjet me thikë, i dëmtuari menjëherë dërgohet në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, dhe më pas për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, dërgohet në QKUK për trajtim mjekësor. Këto veprime formojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale, ” Vrasja në tentative” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.