Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë të shtunën se ka zhvilluar një takim shumë të mirë me Peter Sorensenin, të dërguarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Për dallim nga paraardhësi i tij, Mirosllav Lajçaku, Sorensen do të merret vetëm me dialogun dhe jo me çështje tjera të Ballkanit.
Ai e ka nisur zyrtarisht mandatin më 1 shkurt.
Orav ka thënë përmes një postimi në rrjetin social X – dikur Twitter – se beson që përvoja diplomatike e Sorensenit do t’i ndihmojë në avancim të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ekipi im dhe unë e mbështesim atë plotësisht!”, ka thënë Orav.
Prej kur ka nisur të lakohet emri i Sorensenit në media, javë më parë, atmosfera për të ka qenë pozitive, shkruan REL.
Një prej argumenteve më të shpeshta ka qenë se 57-vjeçari e njeh rajonin.
Dhe, njëmend ashtu është. Diplomat prej shumë vitesh, ai ishte angazhuar në Kosovë, në kuadër të Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), si dhe në role tjera, në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Siç thonë edhe njohësit e politikës, ai nuk ka nevojë që të informohet paraprakisht për njerëzit apo faktet historike të rajonit, sepse tashmë ka pasur mundësinë ta krijojë një pasqyrë nga afër.
Një tjetër argument që është përmendur si pozitiv nga zyrtarët në Prishtinë është se ai është nga Danimarka, vend që njeh shtetësinë e Kosovës, dhe se do të ketë qasje të barabartë në dialog.
Prejardhja e një ndërmjetësuesi është kthyer në element shumë të rëndësishëm, prej kur atë pozitë e pati marrë Lajçaku, ndërsa atë të kryediplomatit të BE-së e ka mbajtur Josep Borrell.
Duke qenë njëri nga Sllovakia, dhe tjetri nga Spanja, të dyja vende mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës, ata i ka ndjekur vazhdimisht një hije e zezë. Nga qytetari i thjeshtë i Kosovës deri te presidentja e vendit, Vjosa Osmani, dyshja është akuzuar për njëanshmëri dhe për rreshtim, me raste, nga Serbia.
Të dy i kanë mohuar vazhdimisht akuzat.
Megjithatë, njohësit e cështjeve politike nuk presin mrekulli në procesin e dialogut, meqë besojnë se suksesi në dialog varet nga energjia që shpenzojnë vendet kryesore të BE-së në këtë proces, sidomos Gjermania dhe Franca.
Por, ato tani po përballen me kriza të brendshme politike dhe, rrjedhimisht, Sorensen nuk do të ketë fuqinë politike mbrapa vetes që ndoshta do ta dëshironte.
Fokusi në dialog pritet të jetë në zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve, të arritur mes dy palëve në shkurt të vitit 2023.
Palët negociojnë qysh prej vitit 2011 dhe kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
BE-ja ua rikujton të dyja palëve shpesh se avancimi në procesin e dialogut është i lidhur me rrugën e tyre drejt integrimeve euroatlantike.