Rama: PS do të bëjë realitet ëndrrën për anëtarësim në BE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka premtuar se PS do të bëjë realitet ëndrrën e shqiptarëve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Sipas A2CNN, Rama kështu u shpreh gjatë mbledhjes së “Kuvendit Kombëtar Rinor për Shqipërinë 2030″, ku tha se PS është e vetmja forcë politike që i mban premtimet.

“Kjo është forca politike që ka bërë më shumë nga të gjitha forcat e tjera politike të marra së bashku. Asnjë forcë tjetër nuk është më e vjetër se kjo e jona dhe asnjë forcë tjetër nuk është më e re sesa kjo e jona. Asnjë forcë tjetër nuk ka më shumë eksperiencë sesa kjo e jona dhe asnjë forcë tjetër nuk ka më shumë energji sesa kjo e jona. Te asnjë forcë tjetër vota nuk sjell asgjë të re”.

“Prandaj vota për ne është e vetmja votë për ndryshimin, ndërsa vota për të tjerët është një votë e sigurt për zhgënjimin. Të tjerët premtojnë çdo gjë sepse nuk kanë asgjë në dorë, ndërsa ne premtojmë atë që bëjmë dhe kemi në dorë të bëjmë atë që premtojmë”, tha Rama.