Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përveç se janë në opozitë, tashmë kanë edhe disa premtime e zotime të ngjashme. Një nga premtimet e dy partive opozitare, pra PDK-së dhe LDK-së, është mësimi tërëditor në shkollat e Kosovës. Çka po premtojnë PDK-ja dhe LDK-ja?
Gjatë një tubimi në Prishtinë, Lumir Abdixhiku, kandidat i LDK-së për kryeministër, e shpalosi këtë premtim, duke vlerësuar se do të vazhdohet kjo reformë e nisur në Prishtinë.
“Për të gjithë fëmijët e Prishtinës të klasave 1-5, do të kemi mësim gjithëditor, në të gjitha shkollat e Kryeqytetit. E kemi nisur në 5 shkolla sot, për herë të parë këtë reformë, do të vazhdojmë në cdo shkollë në qytetin tuaj. Plot 200 milionë euro do ti ndajmë si mbështetje për Prishtinën, për të realziuar në plotni mësimin tërëditor” – ka thënë Abdixhiku.
Madje, Abdixhiku mbrëmë e shpotiti PDK-në, duke e akuzuar për kopjim të programit.
“Qytetarëve u japim zgjidhjen, shpresën dhe programin model që Kosovën vërtetë e transformon. Dhe aq i mirë është ky program, sa që përveç se po e lakmojnë partitë e tjera, tani kanë nisur dhe ta kopjojnë. Ne mësim tërëditor, ata mësim tërëditor. Ne central me Gaz, ata central me gaz” – tha mbrëmë Abdixhiku.
Premtimin për mësim tërëditor tashmë po e thekson edhe PDK-ja. Enver Hoxhaj, kandidat i PDK-së për deputet për Kuvendin e Kosovës, e publikoi një video, duke thënë se mësimi tërëditor do të fillojë në të gjitha shkollat e Kosovës.
Tutje, Hoxhaj tha se kjo është reformë e thellë.
“Partia Demoratike e Kosovës do të shndërrojë mësimin në të gjitha shkollat e Kosovës në një mësim tërëditor. Kjo do të bëjë që të kemi një arsim cilësor, shkolla të sigurta dhe të shëndetshme. Mësimi tërëditor ka të bëjë edhe me aktivitete jashtëshkollore. Shkollat do të kenë laboratore, biblioteka dhe zona kreative, spor dhe art” – ka thënë Hoxhaj.
“Me PDK, arsimi do të marrë një drejtim të ri – Mësimi tërëditor për një të ardhme më të mirë për fëmijët!” – ka shkruar Hoxhaj në mbishkrimin e një video, të cilën e publikoi dje ish-ministri i Arsimit.
Sjellim ndër mend që nga shtatori i vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës, që udhëhiqet nga Përparim Rama i LDK-së, ka nisur zbatimin e mësimit tërëditor. Një nismë e tillë u konsiderua si një reformë e nevojshme, duke u përshëndetur nga kritikët e ndryshëm.
Jehona Lushaku, drejtore e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinë e tash kandidate e LDK-së për deputete, e kishte vlerësuar mësimin tërëditor si një nismë me ndikime shumëdimensionale.