Kurti dhe fjala “buburreca” – Një mësim nga historia e gjenocidit në Ruandë

Si “buburreca” u cilësuan edhe të gjithë pjesëtarët e grupit etnik Tutsi në Ruandë nga grupi tjetër etnik Hutu, gjuhë kjo e cila shpiu në Gjenocidin në Ruandë ku brenda vetëm 100 ditëve humbën jetën nga 800 mijë deri në 1 milionë persona.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një tubim elektoral në Prishtinë, i cilësoi si “buburreca” ata që, sipas tij, sulmuan shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas publikimit të audio-incizimeve ku ajo dëgjohej duke biseduar me Milan Radojiçiç-in.

“Teksa luftonte me kancerin, sulmohej dëshpërimisht çdo ditë nga disa burra, nga disa burreca, nga disa buburreca […] sulmohej me materiale të montuara e të çmontuara e të rimontuara”, tha Kurti më 29 janar.

Por, historia ka treguar se përdorimi i kësaj gjuhe mund të ketë pasoja të rënda. Në gjenocidin e Ruandës më 1994, propaganda shtetërore përdorte vazhdimisht termin “buburreca” për të dehumanizuar grupin etnik Tutsi, duke nxitur një masakër që mori jetën e rreth një milionë njerëzve brenda 100 ditëve.

Mediat dhe politikanët ekstremistë nxitën dhunën me mesazhe të urrejtjes, duke e paraqitur këtë grup si “parazitë që duhej zhdukur”.

Radio Televizioni “Libre des Mille Collines (RTLM)” – e mbështetur nga pushteti – luajti një rol kyç në nxitjen e gjenocidit kundër Tutsi-ve në vitin 1994. Kantano Habimana – një nga folësit kryesorë në RTLM – përdorte një gjuhë të ashpër dhe propagandistike për të nxitur urrejtjen dhe dhunën, duke iu referuar Tutsi-ve si “buburreca” dhe duke i inkurajuar dëgjuesit të merrnin pjesë në vrasjet masive.

“Ju që jetoni, pranë Rugungës, dilni jashtë. Do t’i shihni kasollet prej kashte të buburrecëve […] Mendoj se ata që kanë armë duhet të shkojnë menjëherë te këta buburreca […] t’i rrethojnë dhe t’i vrasin”, thoshte Habimana.

RTLM inkurajonte gjithashtu Hutut-t të “prisnin pemët e larta”, meqë këta të fundit për nga struktura trupore ishin më të shkurtër se Tutsi-t.

Ky është një paralajmërim historik për pasojat e gjuhës së dehumanizimit, që shpesh ka shërbyer si hap i parë drejt tragjedive të mëdha njerëzore.

Eskalimi i gjuhës nga liderët e partive politike në Kosovë, për ligjëruesin e medias dhe konfliktit në Universitetin Adger, Abit Hoxha, është tejet problematike.

“Më problematike se tjerat, është gjuha që redukton dhe dehumanizon kundërshtarët politik duke i quajtur insekte apo emërtime të tjera që në raste të tjera përgjatë historisë së medias e konfliktit kanë sjellë dëme shumë të mëdha në publik”, thotë ai për Albanian Post.

Në kontekstin e shoqërisë post-konflikt çfarë është Kosova, sipas Hoxhës gjuha dehumanizuese e denigruese mund të normalizohet duke dërguar vendin në një konflikt të dhunshëm.

“Ne kemi disa raste shumë të renda të përdorimit të gjuhës së i tillë që i kanë kushtuar Kosovës shumë. Rasti i Marsit 2004 është ai më i rëndësishmi, mbase edhe nga i cili është dashur të merren mësime”, shton ai.

Në vlerësimin e tij kundërshtarët politik nuk duhet të dehumanizohen, meqë ky fenomen mund të ketë pasoja afatgjate, posaçërisht në shoqëri të post-konfliktit sikur Kosova.

Lëvizja Vetëvendosje në përgjithësi dhe Albin Kurti në veçanti në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit në pothuajse në çdo fjalim të tijin ka përdorur gjuhë të urrejtjes ndaj kundërshtarëve politik, duke kërkuar “eliminimin” e tyre, ose duke e konsideruar opozitën si “bërllok” që duhen hedhur në koshin e plehrave.