3 javë fushatë, VV vazhdon të prijë për gjuhë të urrejtjes

Demokracia në Veprim (DnV) po vazhdon me monitorimin e fushatës zgjedhore, tashmë kur ky proces ka hyrë në javën e tretë, dhe na ndajnë vetëm edhe një javë nga dita e zgjedhjeve, nëntë shkurti.

Në një komunikatë për media, DnV ka bërë me dije se java e tretë e fushatës është zhvilluar kryesisht e qetë, me përjashtim të incidentit në Skenderaj ky qytetarët protestuan kundër tubimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Edhe në javën e tretë fushata zgjedhore është zhvilluar në një atmosferë kryesisht të qetë, me përjashtim të një incidenti në Skenderaj me 27 janar, ku disa qytetarë janë mbledhur në qendër të qytetit dhe kanë protestuar kundër tubimit të LVV-së duke hedhur mjete piroteknike në lokacionin ku po mbahej tubimi i kësaj partie si dhe është ndërprerë edhe energjia elektrike. Ky akt ishte një sulm ndaj lirisë së grumbullimit dhe shprehjes së lirë, duke krijuar një atmosferë tensioni dhe pasigurie që bie në kundërshtim të plotë me parimet themelore të demokracisë” – thuhet në komunikatë.

Përdorimi i gjuhës së drejtë dhe jo diskriminuese

Sipas DnV-së, në javën e tretë është përkeqësuar gjuha fyese, nxitëse apo e urrejtjes. Edhe këtë herë, për gjuhë të urrejtjes ka dominuar partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

“Gjatë javës së fundit ka pasur përkeqësim të mëtutjeshëm të gjuhës dhe diskursit të përdorur në fushatë. Numri i aktiviteteve ku është përdorur gjuhë fyese, nxitëse apo e urrejtjes, pothuajse është dyfishuar – me 48 raste të evidentuara vetëm këtë javë. Edhe gjatë kësaj jave, aktivitetet e organizuara nga LVV-ja, prijnë për nga numri i rasteve kur është përdorur gjuha e urrejtjes – me 13 aktivitete, apo 1/3 e aktiviteteve të zhvilluara. Pas tyre, renditet AAK me 28% të aktiviteteve me gjuhë të urrejtjes, PDK-ja me 23% të aktiviteteve, si dhe LDK-ja me rreth 20% të aktiviteteve të karakterizuara nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes”.

Fushata në hapësirën online

Deri më tani, janë monitoruar 679 kandidatë për deputetë, 447 burra dhe 232 gra.

“Gjatë tri javëve të fushatës, janë identifikuar deri në 623 raste të i) gjuhës denigruese dhe nxitjes së urrejtjes, veçanërisht në videot e realizuara nga subjektet politike dhe të shpërndara në rrjetet sociale; ii) Gjuhës së urrejtjes dhe përçmuese nga palët e treta, të cilat shpesh shfaqen në komentet e postimeve të kandidatëve për deputet/e; iii) Lajmeve të pavërteta, të cilat krijojnë dezinformim dhe përhapin mesazhe që rrezikojnë integritetin e fushatës” – thote DnV.

Sipas të dhënave, 37 për qind të këtyre rasteve kanë pasur target gratë e subjekteve politike.

“Paralisht, është bërë monitorimi i 152 portaleve (mediave online) në gjuhën shqipe dhe Serbe, ku janë identifikuar mbi 130.000 komente të bëra, prej të cilave 6% përmbajnë gjuhë urrejtjeje drejt subjekteve politike. Këto pasqyrojnë përdorimin e gjuhës se urrejtjes në komunikimet politike, duke ndikuar negativisht në diskursin publik dhe demokratik të vendit. Krahasimisht, gjuha e urrejtjes ndaj kandidatëve për kryeministër është si vijon:

-Albin Kurti – nga 10.054 postime ku ai përmendet, 7% përbëjnë gjuhë të urrejtjes

-Bedri Hamza – nga 7207 postime ku ai përmendet, 5% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.

-Ramush Haradinaj – nga 3734 postime ku ai përmendet, 4% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.

-Lumir Abdixhiku – nga 6088 postime ku ai përmendet, 4% përbëjnë gjuhë të urrejtjes.

Gratë që kandidojnë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 po përballen me gjuhë të urrejtjes në hapësirat online. Nga 84,813 komente të analizuara në rrjete sociale, (6%) prej tyre janë identifikuar si gjuhë urrejtjeje. Kandidatet më të targetuara përfshijnë:

-Emrije Bashota AAK– nga 6 Artikuj ku ajo përmendet, 20% përbëjnë gjuhë e urrejtjes;

-Fitore Pacolli LVV – nga 129 Artikuj ku ajo përmendet, 20 % përbëjnë gjuhë e urrejtjes;

-Besa Kabashi Ramaj PDK– nga 141 Artikuj ku ajo përmendet, 19% përbëjnë gjuhë e urrejtjes” – thuhet në njoftim.

Mesazhet e partive politike.

VV vazhdon që bosht të fushatës ta ketë veriun e vendit hde mirëqënien sociale.

Partitë opozitare, temë kryesore kanë pasur arsimin dhe ekonominë.

“Arsimi, ekonomia dhe pagat, infrastruktura, mirëqenia sociale, kultura, rinia e sporti, janë top pesë temat dhe çështjet e adresuara gjatë fjalimeve të fushatës. Në këtë javë, është evidentuar një trend i adresimit të tematikave që ndërlidhen me ekonominë dhe pagat. Lëvizja Vetëvendosje, vijon t’i ketë veriun e vendit dhe mirëqenien sociale tema bosht të fushatës së saj (në gjithsej 88 raste secila). PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, tema qendrore i kanë pasur arsimin dhe ekonominë.

Edhe këtë javë, mesazhet politike janë shpalosur kryesisht nga liderët dhe persona të caktuar të partive, pa iu dhënë mundësia të gjithë kandidatëve që vinë nga komunat përkatëse ku po mbahen aktivitetet. Në rastin e partisë në pushtet, shumica e fjalimeve në aktivitetet e mëdha janë mbajtur nga kryeministri apo anëtarët e kabinetit qeveritar, për dallim nga partitë tjera që u kanë ofruar vëmendje e hapësirë të shtuar kandidatëve nga zonat përkatëse ku është organizuar aktiviteti”.