Që nga nisja zyrtare e fushatës zgjedhore më 11 janar, debatet zgjedhore kanë trajtuar një sërë çështjesh, por ato po vlerësohen se nuk kanë pasur ndikim të madh tek votuesit, kjo për shkak të mungesës së planprogrameve të paraqitura nga subjektet politike.
Në çdo cikël zgjedhor, debatet politike kthehen në një nga mjetet kryesore për formësimin e opinionit publik, duke i vendosur kandidatët përballë njëri-tjetrit dhe duke u ofruar qytetarëve një pasqyrë më të qartë mbi qëndrimet e tyre.
Megjithatë, për shkak të mungesës së shpalosjes së programeve konkrete gjatë kësaj fushate zgjedhore, debatet politike po vlerësohen si më shumë “polemizuese” dhe “antagoniste”.
Sociologu Albert Mecini, në një bisedë për Albanian Post, vlerëson se debatet politike televizive mund të ndikojnë deri në një masë në formësimin e perceptimit të votuesve potencialë.
Ai thekson se edhe në këtë fushatë zgjedhore ka munguar shpalosja e programeve konkrete, e për atë arsye të njëjtat po marrin drejtim tjetër.
“Në shoqërinë kosovare, debatet politike nëpër televizion, mund të ndikojnë deri në një masë në formësimin e perceptimeve të votuesve potencialë, sa i përket kandidatëve dhe subjekteve politike. Mirëpo duke qenë se vetë subjektet politike, deri më tash nuk po shpalosin programe aq konkrete, të studiuara edhe për nga plani realizues, por në të shumtën e rasteve premtime pa bazë”.
“Atëherë edhe këto debate po mbesin të rendit polemizues dhe antagonist, ku në të shumtën e rasteve po i dominojnë fyerjet ndër personale dhe ngritja e tonit të zërit, në mënyrë dëshpëruese, pa argumente bindëse”, sqaron ai për Albanian Post.
Megjithatë, sipas tij, në vitet e fundit qytetarët kanë treguar se janë të vetëdijshëm për rolin që ka zgjedhja e tyre politike.
“Ata dinë të ndëshkojnë qeveritë, subjektet politike apo kandidatët që nuk kanë punuar dhe nuk kanë treguar sukses në menaxhimin e obligimeve politike që kanë marrë nga ana e qytetarëve”.
“Pra, votuesi kosovar duket që është bërë më pragmatik, dëshiron të shohë të arritura konkrete nga politikë-bërësit dhe institucionet, prandaj kjo është një shenjë e mirë për zhvillimin politik në shoqërinë kosovare”.
Ndërsa njohësja e çështjeve politike, Magbule Shkodra, deklaron për Albanian Post se debatet ku prezantohen fakte merren seriozisht.
“Në mbrëmje, pothuajse të gjitha kanalet televizive organizojnë debate politike, ku ftohen analistë të ndryshëm që bëjnë analiza të fushatës zgjedhore, tubimeve dhe më pas japin edhe opinione. Në debatet ku prezantohen fakte për ngjarjet që po ndodhin në Qeveri, besoj se qytetarët i marrin ato shumë seriozisht”, thotë Shkodra për AP.
Shkodra është e bindur se emisionet ku vërehet njëanshmëri identifikohen nga audienca.
“Ndërsa në debatet ku vërehet njëanshmëri nga ndonjë parti tjetër, qytetarët i shikojnë me skepticizëm. Unë do të apeloja që debatuesit, kur kanë diçka për të thënë, ta dëshmojnë me fakte, në mënyrë që qytetarët t’u besojnë”.
Ajo u bën thirrje analistëve politikë që analizat e tyre t’i bazojnë në fakte.
“Të tregojnë se qëllimi i tyre është për Kosovën, dhe jo për të mirën e ndonjë partie tjetër. Vetëm kështu mund të ndërtohet besimi tek qytetarët që në këto debate po thuhet e vërteta”.
Fushata zgjedhore në Kosovë ka nisur zyrtarisht më 11 janar, kurse zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen më 9 shkurt të dielën.
Fushata për këto zgjedhjet do të jetë më e gjatë sesa të deritashmet, meqë procesi parazgjedhor dhe zgjedhor organizohet me disa ndryshime që janë bërë në Ligjin për Zgjedhjet.
Me ligjin e ri, heshtje zgjedhore do të vlejë vetëm orët sa kutitë e votimit do të janë të hapura, ndryshe nga zgjedhjet paraprake ku fushata përfundonte një ditë para zgjedhjeve.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021.
Ato u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, me mbi 50 për qind.