Manchester United po shqyrton një lëvizje surprizë për sulmuesin El Bilal Toure, sipas raportimeve, me Ruben Amorm që mbetet ‘i pakënaqur’ me opsionet e tij në fazën ofanzive.
Deri më tani, ka qenë një afat kalimtar relativisht i qetë për ‘Djajtë e Kuq’, ani pse gjërat pritet të ndryshojnë së shpejti.
Mbrojtësi i majtë Patrick Dorgu pritet të bëhet blerja e parë e Ruben Amorim si trajner i Unitedit, me 20-vjeçarin që pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore gjatë ditëve në vijim.
Mathys Tel i Bayern Munich gjithashtu është lidhur fortë me një kalim tek Unitedi, pasi refuzoi transferimin tek Tottenhami.
Megjithatë, në atë që ishte një kthesë befasuese, duket se Unitedi po konsideron një lëvizje për El Bilal Toure, i cili aktualisht luan në huazim tek Stuttgarti nga Atalanta.
Sipas një raportimi nga Foot Mercato, Ruben Amorim nuk është i kënaqur me paraqitjet e sulmuesve të tij.
Një transferim i mundshëm i ndonjërit prej Viktor Gyokeres, Victor Osimhen apo Tel duket mjaft kompleks, andaj për këtë arsye klubi ka përshpejtuar negociatat për Toure.
Toure u transferua tek Atalanta për 25 milionë euro, por nuk i plotësoi pritshmëritë e trajnerit dhe u huazua tek Stuttgarti në gusht.
23-vjeçari ka shënuar tre gola në 13 ndeshje për klubin gjerman këtë sezon, por ka pësuar një lëndim gjatë pauzës me kombëtare dhe momentalisht është në proces të rikuperimit.