Drejtori ekzekutiv i Institucionit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka dështuar krejtësisht në zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit 2021-2026, ndërsa të gjitha institucionet ligjzbatuese kanë përmbushur vetëm 30 deri në 35 për qind të obligimeve të saj.
Në debatin në KTV të premten, Miftaraj ka thënë Strategjia për Sundimin e Ligjit përfaqëson dokument kyç për forcimin e shtetit të së drejtës, por objektivat e saj nuk janë realizuar nga ekzekutivi.
“Strategjia për Sundimin e Ligjit është Kushtetuta e qeverisjes për sundim të ligjit. Lëvizja Vetëvendosje, pra partia në pushtet, ka dështuar krejtësisht në zbatimin e objektivave, qëllimeve dhe aktiviteteve që janë të parapara në këtë strategji”, ka deklaruar Miftaraj.
Ai shtoi se përmes rishikimit të strategjisë në fillim të mandatit të kësaj qeverie ishte bërë analizë e plotë e sistemit gjyqësor, prokurorial, policor dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese, duke u hartuar 16 dokumente të politikave që përcaktonin veprimet e nevojshme për përmirësimin e sundimit të ligjit.
Miftaraj ka treguar se deri në vitin 2023 ishte funksional një plan pune i redaktuar nga Qeveria, i cili përfshinte veprime të qarta për fuqizimin e sundimit të ligjit. Megjithatë, në vitin 2024, siç thotë ai, Ministria e Drejtësisë ka dështuar të hartojë një plan pune për zbatimin e strategjisë, duke mos ndërmarrë asnjë hap konkret.
Ky dështim, sipas tij, tregon mungesën e përkushtimit institucional për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve të drejtësisë në vend.