Marco Rubio: Ukraina dhe Rusia duhet të bëjnë kompromise për të përfunduar luftën

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka folur për herë të parë për luftën në Ukrainë pas marrjes së postit qeveritar, duke dhënë një vlerësim të zymtë për situatën në këtë vend.

“Ukraina është kthyer një shekull pas. Infrastruktura e saj energjetike është shkatërruar. Dikush do të duhet të paguajë për rindërtimin e saj. Shumë ukrainas kanë ikur në vende të tjera dhe mund të mos kthehen kurrë”, pohoi ai, duke theksuar pasojat e rënda që lufta ka sjellë për kombin ukrainas.

Ai nënvizoi se e ardhmja e Ukrainës mbetet e pasigurt, ndërsa konflikti vazhdon pa një zgjidhje të qartë në horizont.

“Nga këndvështrimi i presidentit amerikan, ky është një konflikt i zgjatur që duhet të zgjidhet. Negociatat janë të nevojshme dhe të dyja palët e konfliktit do të duhet të bëjnë kompromise”, tha Rubio, duke nënkuptuar se një marrëveshje diplomatike mund të jetë e vetmja rrugëdalje për t’i dhënë fund luftës.

Lufta në Ukrainë ka pasur pasoja shkatërrimtare, jo vetëm për vetë vendin, por edhe për stabilitetin global.

Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, rritja e çmimeve të energjisë dhe kriza humanitare kanë prekur shumë vende në botë. Miliona ukrainas janë zhvendosur, duke krijuar një nga krizat më të mëdha të refugjatëve në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ndryshe, Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022, duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të mëdha materiale.

Luftimet ende vazhdojnë, ku asnjëra palë nuk po tregon shenja tërheqjeje, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për të ndërmjetësuar një zgjidhje paqësore mbeten të vështira.